Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajçinovci

Me 33 vota për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës shkarkuan kryesuesin, Pëllumb Bajçinovci.

Në votim kanë marrë pjesë 33 asamblistë të Kuvendit Komunal në procesin e shkarkimit të kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajçinovci.

Prishtinë, Kuvendi Komunal me votim të fshehtë për shkarkimin e Bajçinovcit

Pas një ndërprerjeje prej 10 minutash sërish filloi mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku asamblistët kanë nisur votimin në mënyrë të fshehtë për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajçinovci.

Rama: Po tentohet të ndalet zhvillimi i Prishtinës për inate puro politike

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka filluar mbledhjen e jashtëzakonshme me një pik të vetme të rendit të ditës, shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, Pëllumb Bajçinovci.

Këshilltarët Komunal të Lëvizjes Vetëvendosje me mbështetje të këshilltarëve të AAK-së, një këshilltari të AKR-së dhe një këshilltari të pavarur, kanë iniciuar mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për të shkarkuar kryesuesin e Kuvendit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur se sot i drejtohet qytetarëve, pasi që siç ka thënë ai “mjaftueshëm i jemi drejtuar njëri-tjetrit me fjalët që lëndojnë raportet tona dhe qytetarët”.

“Tani kur transformimi i qytetit po merr formë, ku qindra projekte zhvillimore po zbatohen në teren, po tentohet të ndalet zhvillimi i Prishtinës për inate puro politike. Kjo është politika juaj, politikë e bllokimit të kryeqytetit dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, oportunizmi politik po kërcënon me e marrë kryeqytetin i nisur nga agjendat personale e jo nga nevojat e qytetarëve

“Kjo tentativë për me rrëmbye pushtet, është një shuplakë për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Ne që jemi kujdestarët e këtij qyteti, kemi përgjegjësi më të lartë. Jemi zgjedhur jo për të luajtur lojëra politike, por për ta shndërruar Prishtinën në një qytet me plotë jetë”, është shprehur ai.

Rama u kërkoi nga asamblistët që të mos votojnë “rrëmbimin” e pushtetit duke shkarkuar kryesuesin Pëllumb Bajçinovcin.

Pas këtij fjalimi Rama së bashku me kryesuesin i cili pritet të shkarkohet janë larguar nga salla ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme.

E Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Vetëvendosjes dhe iniciues i seancës, ka thënë se largimi i Ramës është “shpërfaqja më e mirë e tij”. “Akoma nuk kemi mbledhje të rregullta, kryesuesi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ta zhbllokojë Kuvendin. Nuk është angazhuar. Bajçinovci ka dështuar dhe nuk ka performancë të mirë”, ka thënë ai.

Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkorceri, ka thënë se situata aktuale ka ardhur “pashmangshëm nga Përparim Rama”. “Në fjalimin e vet më herët, nuk e ka respektuar as qytetarin, as veten e as partnerin. Ishte interesi publik ai që na ndau. Ishte Badovci”, ka thënë ai. “Kuvendin dhe kryeqytetin nuk do ta mbajë të bllokuar as Përparimi e as Pëllumbi”.

Prishja e koalicionit në Prishtinë erdhi pasi asamblistët e PDK-së votuan për anulimin e vendimit për shkëmbim të pronave komunale me të ish-klientëve të kryetarit Rama. Paraprakisht, Rama shkarkoi disa drejtorë të PDK-së. /Kosova.info/

Go to TOP