Shfaqet dokumentari “Flamurtarët e Deçanit 1912”

“Flamurtarët e Deçanit 1912” është quajtur dokumentari me autor Faton Mehmetaj, i cili është shfaqur sot në komunën e Deçanit. Ky është dokumentari i parë që i kushtohet kësaj ngjarjeje, derisa autori ka theksuar po ashtu se është hera e parë që po shpaloset historia e madhe e këtyre burrave që secili prej tyre është kapitull më vete i historisë.

Në vazhdën e aktiviteteve të shumta që shënuan Festën e 28 Nëntorit në komunën e Deçanit është shfaqur dokumentari “Flamurtarët e Deçanit 1912” me autor Faton Mehmetaj.

Kjo vepër, e cila dokumenton pjesëmarrjen e patriotëve deçanas në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, është vlerësuar lart nga të pranishmit.

“Ne, në një ditë si kjo nuk është e tepër të themi dy porosi. Në rrugëtimin  tonë si shqiptarë shumë herë jemi lënë vetëm duke qenë kusuritje për të tjerët. Për këtë arsye jetojmë në shumë shtete e disa edhe pa atdhe. Më 24 mars 99 ka ndodhë diçka që në historinë e shqiptarëve është prit mijëra vjet, pra ne jemi ndodhur në Aleancë me fuqinë më të madhe të botës, Amerikën me NATO-n. Po në ditën e sotit është me rëndësi me vazhdu me kriju, pra edhe me e dëshmua rrugëtimin tonë për liri për atdhe dhe për atë që kemi arritur”, ka theksuar Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Kruse , Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit, the se në Deçan shumica sot i dinë emrat që janë meritor për çlirimin e vendit.

“Ka njerëz që i mbajnë mend njerëzit burrat e gratë të këtij vendi që zënë një vend të rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë. Nuk i kanë munguar njerëzit këtij vendi çështjes kombëtare që në njëfarë mënyre janë vula e cila është në tapinë e çlirimit të kombit mbarë e sidomos Kosovës e Shqipërisë që tashë i kanë shtetet e tyre”, tha ai

Sipas autorit, më 28 nëntor 1912 në Vlorë, pjesëmarrësit deçanas kishin shkuar në dy grupe. Grupi i parë, në mesin e të cilëve ishin Isuf Bardhoshi dhe Hazir Laha, ndërsa disa ditë më vonë grupi i dytë i prirë nga Isa Boletini.

Go to TOP