Shefi i EULEX-it: Zgjedhjet s’janë zgjidhje afatgjate, ajo mund të arrihet në dialog

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, pas situatës së djeshme në veri të vendit, i ka bërë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë të matur dhe të shmangin çdo përshkallëzim të situatës.

Ai tha se ndonëse zgjedhjet e fundit u zhvilluan në rregull, kjo nuk është një zgjidhje afatgjate, pasi përfaqësojnë vetëm një numër të vogël të popullsisë në veri.

“Kjo nuk është një zgjidhje afatgjate. Zgjidhja afatgjate mund të gjendet vetëm në dialog mes Kosovës e Serbisë, ku përfshihen edhe serbët e Kosovës”.

Wigemar tha se EULEX-i është në dijeni se ne terren ka disa elemente kriminale të përfshira.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë se çfarë po ndodh realisht në terren. Ne e dimë se ka disa elementë kriminalë të përfshirë, por ka edhe popullsi lokale që është e zhgënjyer me situatën. Mendoj se ka mungesë besimi mes palëve në përgjithësi”, tha ai në një intervistë për DW.

Wigemark tutje tha se ekziston një numër i shkaqeve që sipas tij mund të shkaktojnë trazira, teksa shtoi se është e rëndësishme që të gjithë qytetarët të ndjehen se të drejtat e njeriut po respektohen.

Më tej, shefi i EULEX-it tha se ky mision është duke e monitoruar trajtimin e serbëve të Kosovës dhe pakicave të tjera, për tu siguruar që ata po trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit.

“Kemi pasur disa raste veçanërisht në fund të vitit të kaluar dhe kjo është diçka që ne e ndjekim me shumë vëmendje”, tha ai.

Go to TOP