ShBA: Të gatshëm t`i përgjigjemi kërcënimeve antidemokratike të Dodikut

Ambasada e ShBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë ka bërë një njoftim pas tubimit të djeshëm të SNSD-së, në Banja Llukë, si dhe deklaratave të Milorad Dodikut, në të cilat ai mohoi gjenocidin dhe ofendoi të mbijetuarit si dhe viktimat.

“Mohimi i gjenocidit të Srebrenicës nga presidenti i RS, Millorad Dodik, dhe udhëheqës të tjerë nga RS në seancën dhe tubimin e djeshëm të NSRS në Banja Llukë është absolutisht i dënueshëm dhe i papërgjegjshëm. Mohimi i gjenocidit është një fyerje për viktimat e të gjitha kombësive dhe shkakton dhimbje shtesë për familjet e viktimave. Mohimi i gjenocidit shkatërron strukturën shoqërore të Bosnjë-Hercegovinës, është një kërcënim për stabilitetin e saj dhe është i paligjshëm sipas ligjeve të Bosnjë-Hercegovinës”, thuhet në reagimin e Ambasadës së ShBA-së në Bosnje-Hercegovinë, njofton N1.

Tutje, ambasada nënvizon se gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë në vitin 1995 dhe se kjo është konfirmuar në disa raste nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Asgjë që Dodik thotë apo bën nuk mund t’i ndryshojë faktet, madje as organizimi i ngjarjeve njëditore kushtuar mohimit të gjenocidit dhe përhapjes së dezinformatave rreth rezolutës që aktualisht po shqyrtohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Kjo rezolutë është një iniciativë për të njohur dhe përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës për të nderuar viktimat. Ndryshe nga pretendimet e Dodikut, ai nuk drejtohet kundër asnjë anëtari të OKB-së dhe as nuk i atribuon përgjegjësi ndonjë kombi. Mohimi i shpeshtë i gjenocidit të Srebrenicës e bën edhe më të rëndësishëm këtë lloj përkujtimi ndërkombëtar të ngjarjeve të vitit 1995. Kërcënimet e Dodikut për të inicuar shkëputjen e RS nga BiH dhe mbështetja e tij për legjislacionin zgjedhor antikushtetues të RS janë një tjetër dëshmi e mosrespektimit të tij për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe synimin e tij për të minuar strukturat shtetërore të BiH. Krijimi i një sistemi zgjedhor paralel do të përfaqësonte një veprim antikushtetues dhe anti-Dejton dhe do t’u mohonte votuesve në RS një të drejtë themelore demokratike të garantuar nga Kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës. ShBA-ja është e gatshme t’u përgjigjet atyre aktiviteteve antidemokratike dhe anti-Dejton. Ne mbështesim integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnjë-Hercegovinës dhe refuzojmë çdo përpjekje për shkëputje”, thuhet në reagimin e Ambasadës së ShBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë.

Go to TOP