ShBA sulmon një tjetër anije me drogë në Paqësor, 3 të vdekur
Të paktën tre persona janë vrarë në një sulm të ri nga ushtria amerikane ndaj një anijeje që dyshohet se transportonte drogë në Oqeanin Paqësor lindor.
“Shërbimet e inteligjencës kanë konfirmuar se anija është përdorur për kontrabandë dhe tranzit të paligjshëm të narkotikëve përgjatë një rruge të njohur”, njoftoi Komanda Jugore e Pentagonit.
Anija ndodhej në ujëra ndërkombëtare kur u sulmua nga Task Forca e Përbashkët “Southern Spear”, raporton Reuters.
Ky është sulmi i 21-të nga ushtria e Shteteve të Bashkuara ndaj anijeve që dyshohet se transportonin drogë që nga shtatori.
Më shumë se 80 persona u vranë në sulme.
Disa përfaqësues në Kongresin Amerikan, përfaqësues të grupeve të të drejtave të njeriut dhe të tjerë kundërshtuan ligjshmërinë e sulmeve të tilla, ndërsa administrata e Presidentit Amerikan Donald Trump njoftoi se Uashingtoni ka të drejtë të kryejë sulme.
