ShBA, autoritetet financiare mbledhin 1.3 miliardë dollarë taksa të papaguara
Departamenti amerikan i Thesarit dhe agjencia e taksave njoftuan të premten se ata kanë arritur të mbledhin 1.3 miliardë dollarë taksa të papaguara nga individë të pasur, në bazë të disa masave të reja të bëra të mundura nga fondi prej 60 miliardë dollarësh për modernizimin e sistemit agjencisë së taksave (IRS), të përfshira në Ligjin për Reduktimin e Inflacionit.
Rëndësia e kësaj nisme
Republikanët në Kongres kanë paralajmëruar prej kohësh se do t’i anulojnë fondet 10-vjeçare të IRS-it të miratuara në vitin 2022, duke argumentuar se ato i vinin në mënyrë të padrejtë në shënjestër amerikanët lidhur me taksat.
Kandidati republikan për president Donald Trump u zotua të enjten të anulojë të gjitha fondet e pashpenzuara të Ligjit për Reduktimin e Inflacionit, ku përfshihen miliarda dollarë të destinuara për IRS-in.
IRS ka planifikuar të shpenzojë rreth 10.6 miliardë dollarë nga këto fonde deri në fund të vitit fiskal 2024, i cili përfundon më 30 shtator, duke lënë gati 50 miliardë dollarë që mund të anulohen. Por ekspertë të buxhetit thonë se një veprim i tillë do të rriste deficitin buxhetor federal me më shumë se 100 miliardë dollarë gjatë një dekade, pasi agjencia nuk do të mund të zbatonte masat e shtuara për kontrollin e taksave.
Çfarë thonë shifrat?
Departamenti i Thesarit tha se në gjashtë muajt e parë të një nisme të re për të vënë para përgjegjësisë 125,000 individë të pasur që nuk kanë plotësuar formularët e taksave që nga viti 2017, ka arritur të mbledhë 172 milionë dollarë nga 21,000 persona.
Një nismë tjetër që kishte në qendër individë të pasur me më shumë se 1 milion dollarë të ardhura dhe 250,000 dollarë taksa të papaguara, ka siguruar 1.1 miliardë dollarë për arkën e Thesarit.
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen tha se shkalla e auditimit për milionerët kishte rënë me 80% për shkak të shkurtimeve buxhetore në IRS.
“Gjatë administratës të mëparshme [të ish-Presidentit Trump], ndërsa kontrolli ndaj taksapaguesve me të ardhura të larta u reduktua, kontrolli mbi taksapaguesit me të ardhura nën 200,000 dollarë u rrit,” tha zonja Yellen.
“Në vitin 2019, një për qind e amerikanëve, më të pasurit, u vlerësua se ishin përgjegjës për mbi një të pestën e taksave të papaguara, çka do të thotë se amerikanët e zakonshëm mbartën barrën kryesore financiare”, tha ajo.