Shaqiri ishte një zë i guximshëm, një njeri që dashuronte të vërtetën

Është mbajtur mbledhja komemorative për të përkujtuar vepra e tashmë të ndjerit, gazetarit të shquar dhe ish-drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës, Sylejman Shaqiri, i cili vdiq sot.

Në këtë rast u vlerësua lartë kontibuti i tij në fushën e gazetarisë dhe më gjerë.

“Ferizaj është më i varfër pa emrin e tij, që mishëronte ferizajasin e shquar e të përkushtuar në profesion. Gazetaria shqiptare humbi një nga emrat e përveçshëm të saj, por se krenar na mban trashëgimia e tij, vepra jetësore që la prapa”, ka thënë shefi i kabinetit komunal të Ferizaj, Albion Ferizi, i cili foli në emrin e të parit të këtij qyteti.

Deputeti i zgjedhur Elmi Reçica ndau kujtimet e përbashkëta me të ndjerin, duke çmuar përkushtimin e tij profesional.

“E njoha si zëri i artikuluar, si guximtar i pashoq profesional, si pasionant të misionit që kishte në jetë për informimin e publikut dhe krijimin e opinionit në bazë të informacioneve që kishte”, ka thënë ai.

Kryetari i klubit të gazetarëve në Ferizaj, “Haki Braha”, Afrim Kurti, tha se Shaqiri kishte gëzuar admirimin e komunitetit gazetar.

“Ai ishte një zë i guximshëm, një njeri që dashuronte të vërtetën dhe e shërbente atë me përkushtim të palëkundur. Me fjalën e tij të qartë, stilin e tij të veçantë dhe ndjeshmërinë që tregonte në çdo paraqitje, ai fitoi respektin dhe admirimin e të gjithë kolegëve dhe opinionit publik”, tha ai.

I lindur në Ferizaj, Sylejman Shaqiri filloi rrugëtimin e tij profesional në gazetari në fillim të viteve ’80, duke lënë gjurmë në secilin institucion ku punoi. Karrierën e nisi në “Radio Ferizaj”, ku për dy dekada u dallua si gazetar, kryeredaktor dhe më pas drejtor.

Në vitin 1988, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Prishtinës, ku shërbeu si gazetar dhe redaktor përgjegjës i Programit Informativ Politik, deri në mbylljen e dhunshme të këtij institucioni nga regjimi serb. Pas kësaj periudhe sfiduese, kontributin e tij e vazhdoi në Radio Kroacia në Zagreb dhe më pas në Radio Tiranë. Pas çlirimit të vendit, Shaqiri u rikthye në Ferizaj, për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e mediave lokale.

Në vitin 2000, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës. Fillimisht si autor dhe redaktor i emisioneve informative dhe debatuese, më pas si drejtor i Radio Kosovës dhe radios Blue Sky, kryeredaktor në RTK, dhe producent ekzekutiv për programet e minoriteteve dhe transmetimet ndërkombëtare të RTK-së.

Në vitin 2010, arriti në kulmin e karrierës së tij, duke u emëruar drejtor i përgjithshëm i RTK-së.


Go to TOP