Shaip Kamberi kritikon Beogradin për diskriminim ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kritikuar ashpër qeverinë e Beogradit për qasjen diskriminuese ndaj kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke përfshirë edhe bllokimin e Fondit të Kosovës.
Në seancën plenare, Kamberi i drejtoi pyetje kryeministrit serb Gjuro Macut duke kërkuar përgjigje mbi një sërë çështjesh që lidhen me politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe mosplotësimin e kërkesave të tyre legjitime. Ai theksoi: “Pse nuk përgjigjeni? Pse Qeveria e Serbisë po hesht karshi kërkesave tona legjitime? Gjatë këtij viti kemi ngritur pyetje dhe iniciativa për përmirësimin e pozitës së komuniteteve tona pakicë, por përgjigjet mungojnë.”
Kamberi vuri në dukje se qeveria serbe nuk ka dhënë përgjigje për krijimin e Fondit për Zhvillimin e Luginës së Preshevës, në vlerë 10 milionë euro, për Programin e Veçantë për Policinë Multietnike në Luginë dhe Sanxhak, apo për iniciativën për t’i pajisur komunat me tabela të veta. Ai gjithashtu kritikoi bllokimin e ndihmave financiare për Luginën.
Kosova ka ndarë vitin e kaluar një fond prej 4 milionë eurosh për investime në arsimin, kulturën, sportin dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës. Në korrik 2025, Qeveria e Kosovës kontribuoi mbi gjysmë milioni euro për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës, një nga investimet kryesore kulturore në rajon.
Në tetor 2024, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë për përpjekje për të ndaluar mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptarë në Luginë, pasi Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Serbi kishte kërkuar anulimin e thirrjes për subvencione bujqësore nga fondet kosovare.
Kamberi i bëri thirrje Beogradit të përmbushë detyrimet ligjore dhe t’u përgjigjet kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke garantuar mbështetje për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social të komunitetit. /Kosova.info/
