Tottenham zyrtarizon transferimin e portierit Martin Dubravka
Tottenham Hotspur ka njoftuar të mërkurën transferimin e portierit me përvojë Martin Dubravka.
Portieri sllovak i bashkohet klubit londinez si lojtar i lirë, pasi u largua nga Burnley në fund të sezonit të kaluar.
Dubravka, i njohur për paraqitjet e tij me Newcastle United dhe Manchester United, bëhet përforcimi i katërt i Tottenham gjatë kësaj vere.
“Tottenham është një nga klubet më të mëdha në Premier League dhe mezi pres të takoj të gjithë dhe të filloj punën”, ka deklaruar Dubravka pas zyrtarizimit të transferimit.
Ardhja e tij pritet të ndikojë edhe në të ardhmen e portierit italian Guglielmo Vicario. Sipas raportimeve, Vicario është afër largimit nga klubi dhe mund të rikthehet në Itali.
Në fund të sezonit të kaluar, portieri çek Antonin Kinsky fitoi vendin e titullarit nën drejtimin e trajnerit Roberto De Zerbi, duke lënë Vicarion në plan të dytë.
Dubravka është afrimi i radhës në projektin e rindërtimit të skuadrës nga De Zerbi. Më herët, Tottenham kishte transferuar edhe Andy Robertson, Marcos Senesi dhe Jan Paul van Hecke.
Trajneri italian është shprehur i kënaqur me ardhjen e portierit sllovak.
“Jam shumë i lumtur sepse Martin është një portier me përvojë të madhe dhe mentalitet të fortë. Ai ka cilësi shumë të rëndësishme dhe do të sjellë ekuilibër, lidership dhe konkurrencë në dhomën e zhveshjes”, ka thënë De Zerbi.
Tottenham shpreson që me përforcimet e reja të ketë një sezon më të suksesshëm, pasi në edicionin e kaluar luftoi deri në fund për të shmangur rënien nga Premier League.
