Shahini: Orari mësimor në Prishtinë nuk është shkurtuar, vetëm është riorganizuar përkohësisht

Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit lidhur me ndryshimet në orarin mësimor në shkollat e kryeqytetit duke sqaruar se nuk ka asnjë shkurtim të orëve apo ndryshim të programit mësimor.

Sipas tij, ora mësimore mbetet 45 minuta, pa asnjë reduktim, ndërsa programi arsimor nuk është prekur dhe asnjë orë nuk është hequr. “Ndryshimi lidhet vetëm me organizimin e fillimit dhe përfundimit të procesit mësimor gjatë ditës. Pra, kemi një lehtësim të përkohshëm të orarit, jo reduktim të mësimit”, theksoi Shahini.

Ai bëri të ditur se vendimi ka ardhur si rezultat i kërkesave të shumta nga drejtorë shkollash, mësimdhënës, prindër dhe nxënës, të cilët kanë raportuar vështirësi praktike në organizimin e marrjes së fëmijëve, sidomos në orët e fundit të mësimit.

“Në Drejtorinë e Arsimit kemi pranuar shumë kërkesa për riorganizim gjatë kësaj periudhe. Kur përballesh me një situatë të tillë, institucioni ka detyrë të tregojë fleksibilitet dhe ndjeshmëri, në funksion të mirëqenies së nxënësve dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor”, deklaroi ai.

Shahini nënvizoi se në shkollat publike nuk ka simbole apo predikime fetare dhe se procesi mësimor zhvillohet mbi baza profesionale dhe laike. Ai shtoi se riorganizimi i përkohshëm është vetëm një lehtësim administrativ dhe nuk cenon karakterin laik të institucioneve arsimore, as Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Laiciteti nënkupton neutralitet dhe barazi për të gjithë, jo injorim të realitetit shoqëror. Neutraliteti nuk do të thotë mungesë ndjeshmërie. Askush nuk detyrohet të agjërojë, nuk ndryshohet përmbajtja mësimore dhe nuk institucionalizohet feja. Po flasim për organizim orari – një rregullim praktik dhe të përkohshëm”, theksoi ai.

Në fund, drejtori i Arsimit bëri thirrje për qetësi, racionalitet dhe respekt ndaj institucioneve duke apeluar që vendimi të mos keqinterpretohet.

“Ne jemi një shoqëri. Empatia, mirëkuptimi dhe respekti reciprok duhet të jenë baza e veprimeve tona. Qëllimi ynë nuk është të ndajmë apo të favorizojmë askënd, por të gjejmë zgjidhje praktike që i shërbejnë të gjithëve duke ruajtur funksionimin normal të procesit mësimor dhe mirëqenien e komunitetit shkollor”, përfundoi Shahini. /Kosova.info/


Go to TOP