Serbia synon që Mali i Zi ta kthejë në një Bjellorusi

Pas një mjegullnaje lotsjellësi në Cetinje, të nxitur nga kleronacionalistët serbë në Cetinje në emër të sigurimit të shugurimit të një prifti Joankije, shumë kush pyetet se çfarë mund të ndodhë në këtë vend, shkruan Kosova.info.

Jashtë çdo logjike është lejimi i shugurimit të një prifti, ngjarje e cila ka mundur të rrëshqas drejt një konflikti të brendshëm me përmasa të paparashikueshme. Kjo ceremoni ka pasur mbështetjen e hapur të Beogradit zyrtar e cila nuk e pranon identitetin kombëtar të malazezëve dhe shtetësinë e veçantë të Malit të Zi. Se ka një plan për destabilizimin e këtij vendi, treguan protestat e forcave pro serbe, liturgjitë, deri në ardhjen në pushtet të tyre. Ka mjaft elemente që tregojnë se ka pasur një koordinim të gjithë aktiviteteve të segmenteve të sigurisë serbe dhe atyre ruse. Strategjia e Beogradit përfshin disa elementë, nga dobësimi i fqinjëve të tij deri te kryerja e diplomacisë së dyfishtë dhe përdorimi i ndihmës ruse. Moska e sheh Beogradin si një mjet të dobishëm për minimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, dhe për kufizimin e integrimit perëndimor dhe zgjerimin e ndikimit rus.

Është interesant që menjëherë pas apelit të intelektualëve të rajonit që të mos ndodhë shugurimi i priftit Joankije në Cetinje, ka pasuar deklarata e ministrit të jashtëm rusë Sergey Lavrov i cili tha se Kisha ortodokse ruse është nën presion të fortë nga ShBA me qëllim të shkatërrojë “unitetin ortodoks “ në botë. Këtu mund të jenë dy pretendime: Njëra ka të bëjë me atë që Moska të paraqitet si epiqendër e ortodoksisë ku kisha ruse bart vlerat e saj në botën e jashtme që ndihmon në arritjen e qëllimeve në politikën e jashtme dhe tjetra një parapërgatitje eventuale për ndonjë reagim në rast se do të marrin kahe tjetër ngjarjet në Cetinje.

Ai tha se objekt i këtyre presioneve amerikane është edhe Kisha ortodokse serbe në Ballkan. Vucici menjëherë pas ngjarjeve në Cetinje u shpreh në të njëjtën gjatësi valore me ministrin e jashtëm rus. Beogradi zhvillon diplomaci të dyfishtë. Edhe pse aspiron anëtarësimin në BE, Serbia kërkon të balancojë midis fuqive të mëdha përfshirë Rusinë dhe Kinën. Vuçiq po përgatit planet për bashkësinë e Serbisë dhe Malit të Zi, ndoshta në modelin e aspiratave të Putinit në drejtim të bashkimit të Rusisë dhe Bjellorusisë, ku Mali i Zi do të ishte një partner vartës. Në një aranzhim të tillë, Beogradi do të vendoste mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë së Malit të Zi, duke dobësuar identitetin e Malit të Zi dhe duke i shtyrë pakicat shqiptare, boshnjake dhe kroate në margjina.

Se kjo qëndron thotë edhe deklarata e Ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandër Vulin: “procesi i bashkimit të gjithë serbëve veç ka filluar, dhe këtë askush s’mund ta ndalë”. Pra Beogradi përmes kishës përpiqe të realizojë këtë ëndërr. Dhe për këtë ai ka mbështetjen e Moskës marrë parasysh synimet e saj të mëhershme për të blerë portin e Barit dhe kompaninë kombëtare të energjisë. Sipas disa analizave, në një moment, Kremlini mund të përpiqet ta shtyjë Vuçiqin në një konflikt të drejtpërdrejtë rajonal . Putin madje mund të shfrytëzojë një aleancë me Banja Lukën për të nxitur shkëputjen e RS / BiH dhe të provokojë një reagim zinxhir të një konflikti që do të preokupojë si BE -në ashtu edhe NATO -n. Organet shtetërore ruse janë të përfshira në ofensivë dezinformimi përmes medieve lokale, internetit dhe rrjeteve sociale me qëllim ndërtimin e prestigjit rus dhe minimin e institucioneve perëndimore.

Për këtë flasin disa reagime dhe publikime në mediet ruse menjëherë pas ngjarjeve në Cetinje. Pas shugurimit të Joankije, reagimi i parë erdhi nga Kisha Ortodokse Ruse e cila theksoi se trazirat që i organizoi presidenti Gjukanoviq janë përpjekje për tu kthyer në pushtet të cilën gradualisht po e humb për shkak të raportit armiqësor ndaj Kishës. Për çudi sikurse ministri i jashtëm rus Sekretari i shërbimit për lidhje të jashtme kishtare e Patrikanës së Moskës Igor Jakimcuk thotë se ekzistojnë urdhërdhënës të trazirave jashtë vendit.

“Të ashtuquajturat protesta në Mali i ZI, janë përpjekje që të pamundësohet shugurimi i mitropolitit legjitim malazez në kishës ku me shekuj janë bërë shugurimet e paraardhësve të tij ka karakter artificial. Trazirat që i organizoi presidenti Gjukanoviq janë përpjekje të kthejë pushtetin të cilën gradualisht po e humb për shkak të raportit armiqësor ndaj kishës. Ekzistojnë edhe urdhërdhënës të trazirave nga jashtë”, tha ai.

Të njëjtën ditë të shugurimit të Joankije, media e afërt me oborrin qeveritar rusë, në gjuhën serbe Ballkani, kanë kritikuar me tone të ashpra gazetarin rus nga Komersant, Genady Sisoev duke e akuzuar se është në listën e pagave të Gjukanoviqit. Këto akuza i kanë bërë pas një raportimi të tij në Komersant lidhur me ngjarjet në Cetinje.

Ky portal rus madje merret me jetën familjare të gazetarit në fjalë duke e kritikuar se publikimet i bënë me porosi të Gjukanoviqit duke heshtur gjendjen e vërtet. Madje ata shkojnë aq larg sa thonë se gazetari kalon pa u dënuar për shkak të “shpifjeve”.

Se për cilat shpifje ata nuk tregojnë. Përndryshe pak para ngjarjeve në Cetinje gazetari Sisoev kishte përshkruar gjendjen reale në këtë qytet, ku thekson se qytetarët e këtij vendi nuk dëshirojnë që të bëhet shugurimi i Joankije. Se kjo është e vërtet flet një e dhënë sipas së cilës vetëm 13 persona nga ky qytet kishin shprehur dëshirën të bëhet shugurimi. Pra asgjë jashtë realitetit nuk ka shkruar Sisoev dhe kritikat ndaj tij kanë të bëjnë me faktin se ai ka shkruar se prona e kishës ortodokse serbe në Mai i Zi i takon shtetit malazez, ndërsa kisha vetëm e shfrytëzon. Kisha mbetet instrumenti kryesor i nacionalizmit serbo madh. Ajo ishte një nga mbështetësit kryesor të regjimit kriminel të Milosheviqit në luftëra, institucion që mbron kriminelët e luftës, nuk njeh gjenocidin në Srebrenicë, mohon ekzistencën e kombit malazez. Ndërsa qëllimi i Moskës është ti bëjë kandidatë jotërheqës për NATO dhe BE. /Kosova.info/

Go to TOP