Serbi/NDMBGD: Kjo sjellje e Shapiqit është e padenjë për kryetarin e Beogradit

Beograd, 06.04.2023
Përkthimi dhe përshtatja: Berzat Berzati

Lëvizja NDMBGD dënoi sot sjelljen arrogante të Alleksandër Shapiqit ndaj punonjësve të administratës së qytetit, si dhe etiketimin dhe ballafaqimin e papranueshëm me gazetarët e redaksive të pavarura, duke vlerësuar se “kjo sjellje është e padenjë për kryetarin e Beogradit, si dhe fakti se arroganca e Shapiqit është vetëm më e madhe se paaftësia e tij”.

“Alleksandar Shapiq mbetet konsistent me sjelljen e tij të vazhdueshme të dhunshme dhe arrogante. Nga fakti që ai ndërton shtëpinë e tij me qejf, tek fakti se tentoi të shponte argjinaturën e Savës pa leje dhe në kundërshtim me ligjin, e deri tek mënyra se si i trajton punonjësit në administratën e qytetit. Ai nuk është i panjohur për t’iu drejtuar disidentëve politikë në gjuhën e rrugës. Përveç kësaj, Shapiq vazhdimisht tregon paaftësi në zgjidhjen e problemeve kryesore të qytetit, bllokimit të trafikut, ndotjes së ajrit dhe infrastrukturës së dobët”, tha Dobrica Vesellinoviq, kreu i grupit opozitar NDMBGD në Kuvendin e Qytetit të Beogradit.

“Aventura e fundit e Alleksandar Shapiqit me ndryshimin e çmimeve të transportit publik do të thyejë xhepat e qytetarëve. Pas këtyre ndryshimeve, transporti publik i Beogradit do të jetë një nga më të shtrenjtët në Evropë, kur çmimi i një bilete mujore do të krahasohet me të ardhurat mesatare. Me 3.3 për qind të të ardhurave mujore që qytetarët duhet të lënë mënjanë për transportin publik, Beogradi është më i shtrenjtë se Berlini, Cyrihu apo Praga, ku duhet të ndahet rreth 1 për qind e të ardhurave mujore. Në Vjenë, Varshavë apo Bruksel çmimi është nën 2 për qind të pagës mesatare mujore. Dhe nëse e krahasoni cilësinë e shërbimit, është e qartë se qytetarët janë të privuar rëndë nga transporti publik cilësor”, shtoi Vesellinoviq.

Ai kujtoi se NDMBGD zhvilloi një plan optimizimi të transportit publik të quajtur “30 minuta nga shtëpia në punë”, i cili përfshin uljen e çmimit të një bilete mujore dhe futjen e një “takse të lëvizshmërisë urbane” që do t’i lehtësonte qytetarët nga kostot e panevojshme.

Kujtojmë se kryetari i Beogradit, Alleksandar Shapiq, sot në Kuvendin e qytetit të Beogradit ka prezantuar sistemin e ri të grumbullimit të biletave në transportin e qytetit dhe me atë rast ka demonstruar një mënyrë të turpshme të trajtimit të punonjësve në kabinetin e tij.

Gjatë fjalimit të Shapiqit për media, pati probleme teknike gjatë paraqitjes. Për këtë, Shapiq ka reaguar në mënyrë të papërshtatshme, duke e poshtëruar punonjësin e tij.

Po ashtu, Alleksandar Shapiq akuzoi sërish TV N1 dhe Nova S për “falsifikim, mashtrimi dhe redaktim” në konferencën për shtyp.

Siç raporton N1, Shapiq sot prezantoi planin e transportit të ri të qytetit në Beograd. Ai ka folur për kontratën me Kentkart, ndërsa në pyetjen e gazetarit N1 se kur dhe ndaj kujt do të fillojë procedurat ligjore për kompensim, Shapiq është përgjigjur me akuza.

Go to TOP