Selmani: Koncesioni i Aeroportit të Vlorës në shkelje ligjore, struktura aktuale e pavlefshme

Ish-deputetja Myzejene Selmani ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke ngritur shqetësime serioze për bazën ligjore dhe funksionimin e projektit.

Sipas saj, masat gjyqësore të ndërmarra nga gjykatat e Tiranës, të cilat kanë çuar në pezullimin e kompanisë Mabco Construction nga struktura e koncesionarit, janë marrë pa prova të mjaftueshme dhe në kundërshtim me procedurat ligjore. Ajo thekson se këto veprime kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndryshimin e strukturës së koncesionarit, duke e bërë atë të papajtueshme me marrëveshjen fillestare.

Selmani vlerëson se përjashtimi i Mabco-s, e cila sipas saj ka qenë shtylla kryesore financiare dhe teknike e projektit, e ka dobësuar ndjeshëm kapacitetin e koncesionarit. Në këtë kontekst, ajo shton se 2A Group nuk i plotëson kriteret e kërkuara financiare dhe teknike sipas dokumentacionit të tenderit.

Në reagimin e saj, ajo shkon më tej duke deklaruar se në mungesë të Mabco-s, struktura aktuale e kompanisë koncesionare VIA sh.p.k. është juridikisht e pavlefshme dhe në shkelje të kushteve të tenderit.

Selmani kritikon edhe institucionet shtetërore, duke i akuzuar për tolerim të një situate që bie ndesh me ligjin dhe detyrimet kontraktore. Sipas saj, vazhdimi i këtij koncesioni në këtë formë cenon parimet e ligjshmërisë dhe administrimit të mirë.

Ajo ka hedhur poshtë edhe disa pretendime që kanë qarkulluar në media, duke i cilësuar si të pasakta dhe të bazuara në dokumente që nuk kanë fuqi ligjore.

Në fund, Selmani kërkon ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin e ligjshmërisë dhe të strukturës së rregullt të koncesionit të Aeroportit të Vlorës.

Go to TOP