Selmanaj në 35-Vjetorin e LDK-së në Prizren: Histori e lirisë, demokracisë dhe shpresës

Sot në Prizren u shënua 35-vjetori i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një rrugëtim historik i demokracisë, sakrificës dhe përkushtimit për shtetin. Nën udhëheqjen e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe angazhimin e mijëra veprimtarëve, LDK-ja u bë simbol i rezistencës paqësore dhe shtetndërtimit në kohët më të vështira.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, gjatë fjalës së tij theksoi se ky përvjetor është një dëshmi e qartë e kontributit të LDK-së në shtetndërtimin e Kosovës. Ai falënderoi çdo anëtar, aktivist dhe mbështetës që ka qenë pjesë e kësaj rruge duke theksuar se vizioni i Rugovës mbetet udhërrëfyes për të ardhmen.

“LDK-ja ka qenë dhe mbetet shtylla e pathyeshme e shtetit tonë. Nga themelimi, rezistenca paqësore, lufta për liri e deri te ndërtimi i institucioneve, ne kemi qenë në ballë të zhvillimeve demokratike,” tha Selmanaj.

Në këtë përvjetor, anëtarët e LDK-së në Prizren riafirmuan përkushtimin e tyre për një Kosovë demokratike, të zhvilluar dhe të integruar në strukturat euro-atlantike. /Kosova.info/


Go to TOP