Selmanaj-Kurtit: A jeni Qeveri apo OJQ?

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se zyra për çështje të kategorive të dala nga lufta në Zyrën e Kryeministrit është bërë jofunksionale dhe se s’po ofron shërbimet për veteranët.

Ai tha se për ta dëshmuar këtë e ka marrë rastin konkret të Nevruz Berishës nga Klina, për të cilin tha se si ish-ushtar i UÇK-së dëshiron të ketë statusin e veteranit.

Kësaj deklarate i është përgjigjur kryeministri Albin Kurti tha se zyra për çështje të kategorive të dala nga lufta e ZKM-së është funksionale dhe i kryen të gjitha shërbimet. Por, tha se në disa raste zgjatën proceset edhe për shkak të disa procedurave të Prokurorisë Speciale.

“Prokuroria Speciale në vitin 2017 e ka bërë sekuestrimin e dosjeve të veteranëve. Prokuroria Speciale ka kthyer vetëm listat elektronike që iu mungojnë disa të dhëna. Kur s’përputhen të dhënat me listat elektronike, veterani duhet të bëjë kërkesë. Në disa raste veteranët presin një kohë të gjatë. Zyra tek unë e ka shqyrtuar kërkesën dhe i është kthyer përgjigje më 28 korrik. Ndërkaq, kërkesa për informata shtesë do të marrë përgjigje sot gjatë ditës”, tha Kurti.

Selmanaj sërish replikoi me Kurtin, duke thënë se në këtë letër që ka marrë Berisha, ZKM e ka lëshuar letrën pa emër, mbiemër, vulë e numër protokolli. Për këtë, deputeti i LDK-së ia parashtroi një pyetje Kurtit.

“A jeni Qeveri apo OJQ? Kam qenë vetë drejtor i OJQ-së. Kemi pasë seriozitet më të madh se ju”.

Gjithashtu, Selmanaj akuzoi Kurtin për mostrajtim serioz të veteranëve të UÇK-së

“A keni filluar t’i diferenconi veteranët, të mos i trajtoni seriozisht dhe të mos i lejoni ta realizojnë të drejtën e tyre elementare, një pensionim të merituar për kontributin që e kanë dhënë për vendin?”.

Por, Kurti mohoi këtë.

“Zyra i është përgjigjur. Ne nuk bëjmë kurrfarë diferencimi, ato mund të jenë bërë në të kaluarën por asnjëherë nga ne tash e në vijim”. 

Go to TOP