Sallahu: Mbështetëm çdo kërkesë të Avokaturës Shtetërore për ta fuqizuar atë
Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu ka pritur në takim avokatët e Avokaturës Shtetërore.
Aty, sipas njoftimit, u diskutua mbi avancimin e mëtejmë të punës së Avokaturës, si një prej mekanizmave më të rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të Kosovës.
“U.d., Ministri Sallahu kujtoi se prej se kjo Qeveri ka marrë mandatin, është dyfishuar numri i avokatëve të Avokaturës Shtetërore, është rritur paga sipas kërkesës së tyre, janë siguruar hapësirat e nevojshme për punë dhe janë blerë vetura të reja për të mbështetur punën e Avokatit të Përgjithshëm. Po ashtu, për secilin avokat është siguruar pagesë shtesë për shkak të vëllimit të punës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas Sallahut, çdo kërkesë e Avokaturës është mbështetur nga kabineti i Ministrisë së Drejtësisë, e këtë ai e ka quajtur si dëshmi e qartë e përkushtimit të Qeverisë për ta fuqizuar këtë institucion.
“Sallahu ritheksoi vendosmërinë e Ministrisë së Drejtësisë, për të ngritur llogaridhënien dhe për të siguruar që shteti të mbrohet me profesionalizëm dhe integritet në çdo proces gjyqësor, duke ofruar bashkëpunimin e plotë të tij dhe kabinetit me të gjithë anëtarët e Avokaturës Shtetërore”, thuhet në njoftimin e MD-së. /Kosova.info/
