Salihaj: LDK-në nuk e shkatërroi Vjosa Osmani, por Isa Mustafa dhe hipokrizia politike
Ish-veprimtari dhe zëri kritik i LDK-së, Adem Salihaj, ka hedhur poshtë akuzat se Presidentja Vjosa Osmani është përgjegjëse për shkatërrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës duke theksuar se këto pretendime janë të pavërteta dhe hipokrite.
Sipas Salihajt, Vjosa Osmani nuk u largua me vullnet nga LDK-ja, por u shkarkua dhe u përzu nga ish-kryetari Isa Mustafa dhe rrethi i tij i ngushtë. Ai ngre pyetjen se çfarë duhej të bënte Osmani pas përbuzjes politike dhe njerëzore duke theksuar se njerëzit me dinjitet largohen kur përjashtohen dhe poshtërohen.
Salihaj kujton se vetë Isa Mustafa ka pranuar publikisht se Vjosa Osmani gëzonte përkrahje të madhe elektorale, për dallim nga ai duke shtuar se është absurde të pretendohet se një person i vetëm e shkatërroi LDK-në, ndërkohë që u shkarkua nga strukturat e partisë.
Në reagimin e tij, Salihaj akuzon Isa Mustafën për mashtrime të vazhdueshme elektorale duke përmendur se ai erdhi në krye të LDK-së me propagandë kundër PDK-së dhe SHIK-ut, por më pas, pa vendime institucionale partiake, lidhi koalicione pikërisht me ta. Sipas tij, kjo sjellje u përsërit në disa cikle zgjedhore duke e zhgënjyer rëndë elektoratin tradicional të LDK-së.
Ai thekson se ndëshkimi i LDK-së nga votuesit ishte një formë presioni për ta detyruar Isa Mustafën të japë dorëheqje, pasi elektorati nuk kishte mekanizma të tjerë për ta larguar atë nga drejtimi i partisë.
Salihaj shkon më tej duke vënë në pikëpyetje “rugovizmin” e Isa Mustafës duke deklaruar se ai asnjëherë nuk ka qenë anëtar i LDK-së dhe se, së bashku me Bujar Bukoshin, i kishte ndalur fondet LDK-së dhe Presidentit Ibrahim Rugova gjatë viteve të vështira, veprime që sipas tij dëmtonin drejtpërdrejt kauzën kombëtare.
Në përfundim, Salihaj thekson se Isa Mustafa erdhi në krye të LDK-së vetëm pas vdekjes së Presidentit Rugova, përmes komplotit politik kundër Fatmir Sejdiut, dhe se gjatë drejtimit të tij e zbriti partinë në rreth 12 për qind duke e quajtur këtë bilancin real të “rugovizmit” të tij. /Kosova.info/
