Salih Murat: Presioni publik e detyroi Gashin të tërhiqet
Deputeti i opozitës në Maqedoninë e Veriut, Salih Murat, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe bllokim të qëllimshëm të komitetit për komunitetet, shkruan Kosova.info.
Përmes një postimi publik, Murat tha se më 24 dhjetor 2025 kishte dorëzuar kërkesë zyrtare ndaj Gashit, duke pretenduar se për afro dy vite kishte shkelur ligjet dhe Kushtetutën, ndërsa kishte penguar funksionimin e komitetit për komunitetet.
Sipas tij, çështja u rikthye edhe në një seancë parlamentare, ku ai e akuzoi drejtpërdrejt kryeparlamentarin për shkelje ligjore. Murat pretendon se për pesë muaj nuk mori asnjë përgjigje nga Kuvendi.
Ai theksoi se situata ndryshoi pasi gazeta maqedonase Sloboden Peçat e publikoi rastin në faqen e parë, duke e kthyer çështjen në debat publik në gjithë vendin.
“Askush nuk mund të jetë mbi Kushtetutën”, deklaroi Murat, duke shtuar se Gashi u detyrua të thërrasë mbledhjen themeluese të komitetit, gjë që sipas tij përbën pranim të tërthortë të abuzimit me funksionin për dy vite.
