Salih Murat denoncon diskriminimin e komunitetit turk në buxhetin e vitit 2026
Deputeti Salih Murat ka ngritur zërin në Kuvend gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2026, duke kritikuar ashpër qeverinë për diskriminim sistematik ndaj komunitetit turk.
Sipas Muratit, projekti i buxhetit është “i ndërtuar mbi projeksione të parealiste” dhe nuk adreson nevojat e komuniteteve pakicë. Ai theksoi mungesën e investimeve për arsimin në gjuhën amtare, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, përdorimin e turqishtes si gjuhë zyrtare dhe përfaqësimin e drejtë në institucionet publike.
Murat paralajmëroi se vazhdimi i këtij buxheti do të çojë në krizë buxhetore, rritje të borxhit dhe margjinalizim të komuniteteve në zonat rurale. Ai prezantoi 90 amendamente konkrete, duke kërkuar projeksione më realiste të të ardhurave, një minimum prej 5% të buxhetit për komunitetet, program të veçantë 2 miliardë denarësh për zhvillim rural dhe hapa për përfaqësim të drejtë.
Deputeti theksoi se kjo betejë nuk është vetëm për shifrat e buxhetit, por për të ardhmen e fëmijëve, mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës turke, dhe për respektin që meritojnë si qytetarë të barabartë./Kosova.info/
