Salianji-Çuçit: Vis Martinajn e lajmëruat 5 minuta para që të largohej nga hoteli
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka thirrur në interpelancë ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçin për ndërtimet pa leje si edhe për situatën e krimit në vendin tonë.
Ministri i Brendshëm, renditi objektivat e dikasterit që drejton duke theksuar ndër më kryesoret është ulja e kërcënimit dhe ndikimit të krimit të organizuar. Ai bëri me dije se do të reformohet Policia Kriminale, të cilën e sheh si nevojë emergjente.
“Objektivat janë e para dhe më kryesorja ulja e kërcënimit dhe ndikimit të krimit të organizuar. Si do bëhet kjo? Së pari me reformimin e Policisë Kriminale. Është një proces që e kemi nisur, është i gjatë dhe kompleks. Po identifikojmë pikat e forta dhe të dobëta për formën dhe mënyrën optimale të organizimit të saj në nivel qendror dhe në nivel vendor për kompetencat që duhet dhe do të ketë, për impaktin që do të ketë kjo reformë dhe që pritet të ndryshojmë edhe kuadrin ligjor si rezultat i reformimit. E them pa hezitim se kjo reformë është nervi kryesor që përshkron çdo objektiv dhe nënobjektiv të Ministrisë së Brendshme për çështje që lidhen me krimin e organizuar”, u shpreh Çuçi.
Salianji ka përmendur disa prej emrave më të njohur të botës së krimit. Në lidhje me fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martina i cili rezulton i zhdukur prej muajit gusht, Salianji ka bërë një deklaratë të fortë. Sipas tij 5 minuta se të bëhej kontrolli në hotel i është dërguar mesazh të shumëkërkuarit që të largohej. Informacioni sipas Salianjit po qarkullon në policinë e shtetit.
“Nxirrni policët për t’i mbajtur kot. Ku e keni sot Sulen Çelën, Fatos Goga, Kamer Mehja. Po e them këtu atë që qarkullon në zë në radhët e policisë së shtetit, Ervis Martinaj nuk jepin dot përgjigje sot çfarë bëhet është gjallë a vdekur.
Pesë minuta para se të shkonte në hotel policia e shtetit e keni lajmëruar për t’u larguar se keni pasur tjetër plan. Alban Bengasi, Abedin Mama. Ervin Merlika. Vetëm një operacion i ke këta. Ish drejtoi i policisë thotë që më ka rrjedhur informacioni.
Ju e keni hequr vetëm se ka pasur lidhje me SHBA. Ja ku i ke vrasjet më të rënda. Nuk e keni hequr për objektiv ju atë. Se çfarë objektivi do plotësoj ai kur ke të njëjtët drejtorë”, u shpreh ai.
Ndër të tjera Salianji tha se policia kapet nga kriminelët sepse efektivët kanë rroga të ulëta dhe nuk marrin asnjë qindarkë për orët shtesë.
“Duhet të kërkoni ndjesë se partia juaj ka dalë dhe ka thënë grupi çiftelia. Sot i ke drejtorët më të rëndësishëm pjesë e atij grupi. Dilni thuajini qytetarëve shqiptarëve. Nuk bëhen vrasjet me matematikë se keni krijuar pasiguri. Nuk ka punë polici e shtetit. Ke thuajse 300 vrasje të pazbuluara. S’kapni dot as këto që ju sjell SPAK se keni deputetët e kapur. Që nga korriku nuk i jepni asnjë orë shtesë pagese. Si do e luftojnë kriminelin ata? Në vend që të kapë polici kriminelin, kap krimineli policin. Shihni si e kalojnë në këmbë dhe s’keni çfarë i bëni. I kap dot oligarkët? Ju jeni të fortë me të dobëtit dhe të dobët tmerr me të fortët”, tha Salianji.
