Sali Rexhaj rikthehet në politikë pas 30 vitesh: Kandidon me AAK-në për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Aktivisti i çështjes kombëtare, Sali Rexhaj ka konfirmuar zyrtarisht se do të jetë pjesë e listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, një vendim që e vlerëson si privilegj, kënaqësi dhe njëkohësisht obligim politik e moral.

Rexhaj u shpreh se kjo listë përbëhet nga personalitete me merita të jashtëzakonshme në proceset e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ai theksoi se do ta përfaqësojë me përkushtim mërgatën, të cilën e cilësoi si një shtyllë historike të përpjekjeve të vendit dhe që, sipas tij, kohëve të fundit është keqpërdorur dhe anatemuar pa të drejtë.

Duke folur për rikthimin e tij në politikë pas tre dekadash, Rexhaj nënvizoi se angazhimi i tij nuk lidhet me ambicie personale, por me dëshirën për t’i qëndruar krah Ramush Haradinajt, të cilin e quajti “Hero i Kosovës”, si dhe për të kontribuar brenda AAK-së në një periudhë që ai e vlerëson si të vështirë për vendin. Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha, futur Kosovën në “agjenda serbe e ruse” dhe theksoi se synon ta ndihmojë largimin e vendit nga këto rreziqe politike.

Rexhaj theksoi se ky hap është marrë me mbështetjen e plotë të familjes, rrethit të tij të ngushtë dhe shumë bashkërrugëtarëve të viteve të 90-ta, të cilët i kujtoi si bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë në fazat më të vështira të historisë së Kosovës gjatë katër dekadave të fundit.

Ai bëri thirrje për unitet të gjerë kombëtar, të ngjashëm me atë të viteve ’90, me qëllim që Kosova të rikthehet në rrugën drejt integrimit euroatlantik, BE, NATO dhe partneritetit strategjik me SHBA-të, të cilat i konsideroi si të vetmet drejtime të mundshme për shtetin dhe kombin shqiptar.

Në fund, Sali Rexhaj shprehu mirënjohjen e tij për Degën e AAK-së në Zvicër për besimin e dhënë duke përmbyllur me urimin: “Na priftë e mbara!”. /Kosova.info/


Go to TOP