Sadiku: Tema nuk është kush sa shpenzoi nga xhepi, por 100 milionët e taksapaguesve për pushtetin

Deputeti i zgjedhur nga radhët e LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar në debatin publik lidhur me shpenzimet e fushatës zgjedhore duke thënë se vëmendja duhet të përqendrohet te përdorimi i parasë publike për interesa partiake dhe jo te shpenzimet personale të kandidatëve.

Sadiku theksoi se ai e ka financuar fushatën e tij me mjetet e veta, ndërsa tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shpenzuar mbi 100 milionë euro të taksapaguesve për të ruajtur pushtetin.

“Tema e ditës, për dikë që fushatën e ka financuar me paratë e veta. Kurti ka shpenzuar mbi 100 milionë euro të taksapaguesve për të mbajtur pushtetin. Kjo është tema”, ka shkruar Sadiku.

Sipas tij, gjatë qeverisjes janë shpenzuar mijëra euro për naftë, vetura zyrtare, personel dhe resurse shtetërore me qëllim ruajtjen e pushtetit politik.

Deputeti i LDK-së ka insistuar se debati publik duhet të fokusohet te mënyra se si janë përdorur fondet publike dhe nëse ato janë shfrytëzuar për interesa partiake apo për sigurimin e mbështetjes politike.

“Jo kush sa ka shpenzuar nga xhepi i vet në fushatë, por sa para publike janë përdorur për interesa partiake dhe për blerje të mbështetjes politike. Kjo është tema”, ka deklaruar ai. /Kosova.info/

Go to TOP