Sadiku: Nëse doni show, votoni në Big Brother VIP – politika ka nevojë për njerëz që punojnë

Ermal Sadiku ka reaguar me një mesazh kritik ndaj kulturës politike në Kosovë duke thënë se politikanët janë trajtuar si “VIP-a”, ndërsa problemet reale të qytetarëve kanë mbetur në margjina.

Përmes një postimi publik, Sadiku theksoi se gjatë viteve politika është mbushur me populizëm, demagogji, ofendime dhe premtime boshe duke shtuar se kjo klimë po e dëmton shoqërinë dhe po largon vëmendjen nga prioritetet kryesore si arsimi dhe shëndetësia.

Ai deklaroi se nuk e sheh veten si “shpëtimtar” apo “yll”, por si një njeri normal që po aplikon për një punë dhe që paguhet nga qytetarët.

Sadiku u shpreh se e ardhmja duhet t’u takojë njerëzve që ndërtojnë, inovatorëve, inxhinierëve, ndërmarrësve dhe atyre që zgjidhin problemet reale, e jo politikanëve që bërtasin dhe ofendojnë.

Deputeti i LDK-së tha se synimi i tij është të sjellë më shumë transparencë në politikë dhe t’u tregojë qytetarëve se si merren vendimet pas dyerve të mbyllura.

“Nëse doni show, votoni në Big Brother VIP. Nëse doni me i dhënë fund zhurmës dhe me ndërtu diçka reale, atëherë po e kërkoj mbështetjen tuaj prapë”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP