Sadiku: LDK-së i duhet urgjentisht një lider i ri, karizmatik dhe konkurrues – jo marrëveshje në tavolinë

Politologu Arbnor Sadiku ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ndodhet në një moment kyç dhe se pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e fundit nacionale, partia duhet të hyjë në një proces të thellë reformimi duke nisur nga zgjedhja e lidershipit të ri.

Sadiku thekson se LDK-së i nevojitet një lider më karizmatik dhe më konkurrues, veçanërisht në prag të hapjes së kuvendit të ri të partisë. Sipas tij, procesi zgjedhor brenda partisë duhet të jetë i hapur, meritokratik dhe i orientuar drejt publikut, e jo vetëm i mbyllur brenda strukturave partiake.

“Jo kandidatura me marrëveshje dhe jo kuvende të improvizuara”, thekson Sadiku duke nënvizuar se praktikat e deritanishme kanë dëmtuar besimin e anëtarësisë dhe elektoratit.

Ai shton se lideri i ri i LDK-së duhet të zgjidhet vetëm përmes një gare reale, me përfshirje të gjerë të anëtarësisë dhe jo vetëm të deputetëve aktualë. Po ashtu, sipas Sadikut, kandidati duhet të paraqesë një program të qartë për ndryshimin e strategjisë politike dhe mënyrës se si LDK-ja bën opozitë.

“LDK-së i duhet një figurë që përfaqëson ndryshim të madh, që i bën ballë tundimit dhe dominimit politik të LVV-së dhe që është antipod i qartë i Albin Kurtit për të ardhmen politike të vendit”, vlerëson Sadiku.

Sipas politologut, vetëm një lidership i ri, legjitim dhe i dalë nga një proces transparent mund ta rikthejë LDK-në si alternativë serioze qeverisëse dhe ta nxjerrë partinë nga kriza aktuale politike dhe elektorale. /Kosova.info/


Go to TOP