Sadiku: LDK nuk negocion për emra, por për parime në procesin e presidentit

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar pas paraqitjes së tij në emisionin “Pressing” duke theksuar se ndaj subjektit të tij politik vazhdon të drejtohet i njëjti refren fajësues, “Fajin e ka LDK.”

Sadiku deklaroi se, pavarësisht qasjes së tij konstruktive në debat, LDK po përballet me akuza të vazhdueshme, por sipas tij, realiteti është ndryshe. Ai theksoi se LDK nuk është një parti që ndjek verbërisht vendime, por një subjekt ku zhvillohet debat i brendshëm dhe ku ekziston një vijë e qartë kur bëhet fjalë për interesin shtetëror.

“LDK nuk është parti e ‘po’-së së verbër. Është parti ku ka mendime ndryshe, por edhe qëndrime të qarta për çështje madhore”, ka deklaruar Sadiku.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në opinionin publik duke i cilësuar ato si shpesh të pasakta.

Sa i përket procesit të zgjedhjes së Presidentit, Sadiku theksoi se për LDK-në ky proces nuk është çështje pazari me emra të përveçëm, por një proces që duhet të bazohet në parime dhe konsensus politik.

“Ne nuk negociojmë për individë. Ne mbrojmë standarde”, ka përfunduar ai duke shtuar se ky qëndrim duket se po pengon aktorë të caktuar politikë. /Kosova.info/


Go to TOP