Sadiku kritikon procedurat në Kuvend: Po kërkohet votim pa i lexuar ligjet

Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së procedimit të ligjeve në Kuvend duke thënë se deputetëve po u kërkohet të votojnë pa pasur kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar ato.

Sadiku theksoi se kjo qasje po e dëmton vetë thelbin e funksionimit të Kuvendit dhe rolin e deputetit duke e quajtur të papranueshme që ligjet të kalojnë pa u lexuar.

Ai u shpreh se si deputet i ri, por edhe në emër të elektoratit, nuk mund të pranojë që të votojë për çështje për të cilat nuk ka pasur mundësi të informohet si duhet.

“Kur kam kërkuar votën e qytetarëve, kam premtuar se do të punoj me përgjegjësi dhe do të vendos mbi bazën e leximit dhe analizës. Nuk është e drejtë të kërkohet ngritja e dorës pa e ditur se për çfarë po votohet”, ka deklaruar Sadiku.

Sipas tij, është normale të ketë përplasje politike dhe votime pro apo kundër, por jo edhe të kërkohet vendimmarrje e shpejtë pa debat dhe pa shqyrtim të duhur të ligjeve.

Ai ka ngritur edhe pyetjen nëse deputetët që po i votojnë këto ligje i kanë lexuar realisht ato duke paralajmëruar se praktika të tilla dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e vendit. /Kosova.info/


Go to TOP