Sadiku i përgjigjet Ramabajës: Mund të jem i ri në politikë, por jo ‘aksident’
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar ndaj deklaratave të analistit Sadri Ramabaja, i cili në emisionin Debat Plus e cilësoi atë si “aksident” në politikë dhe “të paformuar politikisht”.
Sadiku ka pranuar se nuk ka një përvojë të gjatë politike, por ka theksuar se vjen nga një rrugëtim profesional i konsoliduar. Ai ka bërë të ditur se është i shkolluar në Gjermani si inxhinier dhe se ka ndërtuar disa kompani në Kosovë duke punësuar dhe trajnuar mijëra të rinj.
Sipas tij, përmes angazhimeve në projekte të ndryshme, në Kosovë janë sjellë mbi 50 milionë euro investime, ndërsa ka përfaqësuar vendin në konferenca ndërkombëtare si kryetar i bordit të STIKK.
“Jam duke u formësuar në politikë dhe këtë e bëj me punë, jo me fjalë,” ka deklaruar Sadiku duke shtuar se nuk synon të polarizojë shoqërinë dhe se beson në unitetin e shqiptarëve si rrugë drejt forcimit të vendit. /Kosova.info/
