Rusia dhe Ukraina dakordohen për ndalimin e forcës në Detin e Zi

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të ndalojnë përdorimin e forcës në Detin e Zi, një marrëveshje në parim që do të zbatohet nën disa kushte.

Pas takimeve të ndara me delegacionet e të dyja vendeve në Arabinë Saudite, SHBA shpalli marrëveshjen ku të dyja palët kanë rënë dakord të sigurojnë lundrim të sigurt dhe të ndalojnë përdorimin e forcës, si dhe të pengojnë përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se Ukraina ka pranuar të ndalojë përdorimin e forcës në këtë rajon. Megjithatë, Kremlini theksoi se do të implementojë marrëveshjen vetëm nëse heqjen e sanksioneve ndaj bankave dhe eksporteve të ushqimeve dhe plehrave ruse. Sanksionet janë vendosur pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022.

Për më tepër, SHBA ofroi mundësinë për të hequr disa sanksione për Rusinë, përfshirë lehtësimin e kushteve për eksportin e produkteve bujqësore dhe plehrave, por pa specifikuar një afat kohor. Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kanë paralajmëruar se nuk duan heqjen e sanksioneve pa një armëpushim të plotë, shkruan CNN.

Një pjesë tjetër e marrëveshjes është edhe ndalimi i sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të të dyja vendeve, një pikë që Zelensky e quajti optimiste. Ai tha se Ukraina ka paraqitur një listë të objekteve energjetike që dëshiron të mbrohen, por theksoi se infrastruktura civile nuk do të përfshihet në këtë marrëveshje.


Go to TOP