Rusi, nis gjyqi ndaj 4 gazetarëve, akuzohen se kanë punuar për organizatën e Navalnyt
Katër gazetarë rusë dolën të mërkurën para një gjykate në Moskë nën akuzën se kanë punuar për organizatën kundër korrupsionit, e themeluar nga politikani i ndjerë opozitar, Alexei Navalny, e shpallur nga autoritetet organizatë ekstremiste, në vitin 2021.
Antonina Favorskaya, Artyom Kriger, Sergey Karelin dhe Konstantin Gabov u arrestuan në fillim të këtij viti dhe ndaj tyre u ngrit akuza për bashkëpunim me një organizatë ekstremiste. Nëse shpallen fajtor ata mund të dënohen me deri në gjashtë vjet burg. Të katër gazetarët i kanë hedhur poshtë akuzat.
Gjyqi, i cili po mbahet me dyer të mbyllura, është rasti më i fundit në përpjekjet e shumta të Kremlinit për të shtypur mospajtimet. Këto përpjekje kanë arritur nivele të pashembullta pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, para më shumë se dy vitesh. Autoritet kanë goditur politikanë opozitarë, gazetarë të pavarur, aktivistë dhe qytetarë e të thjeshtë, që janë kritikë ndaj Kremlinit. Qindra prej tyre janë burgosur dhe janë përballur me akuza penale. Mijëra të tjerë janë larguar nga vendi nga frika e përndjekjes nga autoritetet.
Zoti Navalny ishte kundërshtari më i ashpër dhe më i njohur i Presidentit Vladimir Putin. Ai ka bërë fushatë pandërprerë kundër korrupsionit në Rusi. Në muajin shkurt, zoti Navalni vdiq në një burg në Arktik, ndërsa kryente një dënim prej 19 vitesh. Ndaj tij rëndoni shumë akuza, përfshirë edhe atë se udhëhiqte një grup ekstremist, akuza që ia i kishte hedhur poshtë si të motivuara politikisht.
Gazetarët Favorskaya dhe Kriger kanë punuar për faqen e pavarur të internetit “SotaVision”, që mbulon protestat dhe proceset politike.
Zoti Gabov është producent që ka punuar për disa organizata mediash, përfshirë agjencinë e lajmeve ‘Reuters’.
Gazetari Karelin është video gazetar që ka punuar për agjenci të ndryshme perëndimore, duke përfshirë agjencinë e lajmeve “Associated Press”.
Ndërsa dërgoheshin për në dhomën ku do të mbahej seanca gjyqësore, një grup i mbështetësve i përshëndeti ata duke i duartrokitur.
Në sallën e gjyqit, të katër u buzëqeshën familjarëve të tyre nga një kafaz xhami ku mbahen të pandehurit.
Duke iu drejtuar gazetarëve nga kafazi prej xhamit, zoti Kriger e cilësoi rastin kundër tij dhe kolegëve të tij gazetarë si një paralajmërim dhe u kërkoi gazetarëve që janë ende në Rusi të largoheshin nga vendi: “Nuk është shaka, çdo individ mund të akuzohet për çdo gjë”.
Zonja Favorskaya, nga ana tjetër, foli me shpresë: “Gjithçka që po ndodh tani, errësira që na rrethon, nuk do të vazhdojë përgjithmonë dhe ne patjetër do të shohim një ditë vendin ashtu siç e ëndërroi Alexei (Navalny), ne patjetër do të jetojmë në një vend ku të drejtat dhe liritë do të (respektohen) dhe gazetarët dhe njerëzit e tjerë nuk do të burgosen për pikëpamjet e tyre.”
Menjëherë pas fillimit të seancës, gjyqtari ka urdhëruar që procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorisë edhe pse mbrojtja e ka kundërshtuar këtë kërkesë.