Rukiqi: Quint-i dhe BE-ja duhet të reagojnë ndaj uzurpimit institucional nga Vetëvendosje

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka kërkuar reagim të qartë dhe vendimtar nga shtetet e Quint-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, pas zhvillimeve të fundit që, sipas tij, rrezikojnë seriozisht rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve të vendit.

Rukiqi ka akuzuar drejtpërdrejt Lëvizjen Vetëvendosje për uzurpim të institucioneve dhe për përpjekje për të kontrolluar kabinetin qeveritar në mënyrë jokushtetuese duke mos respektuar as vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Shtetet e Quint-it dhe BE-ja duhet të reagojnë me vendosmëri. Në rrezik është jo vetëm rendi kushtetues, por edhe gjithë investimi i tyre në shtetndërtim, në procese demokratike, në zhvillim ekonomik dhe në integrimin euroatlantik të vendit,” tha Rukiqi.

Ai shton se sjellja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje përbën një tentativë të hapur për uzurpim të institucioneve, që jo vetëm e minon besimin në shtetin e së drejtës, por cenon direkt themelet mbi të cilat është ndërtuar procesi i demokracisë në Kosovë.

“Mosrespektimi i ligjit dhe i vendimeve të gjykatave është praktikë e rrezikshme që i bën dëm jo vetëm imazhit të Kosovës, por edhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë,” përfundon Rukiqi. /Kosova.info/


Go to TOP