Rukiqi akuzon Kurtin për përçarje në tri akte: Nga fyerjet, te dështimi politik dhe pazaret për pushtet
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka shpërthyer me akuza të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e përshkruar sjelljen e tij politike si një dramë përçarëse në tri akte.
Në një postim publik, Rukiqi tha se Akti i parë i Kurtit ka qenë fyerja e kundërshtarëve politikë, të cilët i ka quajtur “hajvana, hajna, tradhëtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë”.
Akti i dytë, sipas tij, është përpjekja për të krijuar mjegull pas një dështimi të rëndë politik – pamundësisë për të gjetur një partner qeverisës dhe varësisë nga deputetë që, siç thotë ai, “nuk kontrollohen nga Kosova”.
Ndërsa akti i tretë, sipas Rukiqit, është kthesa pragmatiste: “Hajde takohemi dhe bëjmë pazare. Po i harrojmë të gjitha. Me rëndësi pushteti.”
Rukiqi e përmbyll reagimin e tij me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj Kurtit: “Ky është Albin Kurti: epitomë e jokonsistencës, mashtrimit, gënjeshtres dhe përçarjes ndër-shqiptare.”
Ky reagim vjen në një moment të ndjeshëm për skenën politike në vend, ku përplasjet dhe akuzat mes figurave publike po bëhen gjithnjë e më të ashpra. /Kosova.info/
