Rudolph optimist për formimin e qeverisë së re: Gjermania mbetet mik dhe partner i fortë i Kosovës

Ambasadori i sapoemëruar i Gjermanisë në Kosovë, Ranier Rudolph, është shprehur optimist se shumë shpejt vendi do të formojë qeverinë e re duke theksuar se Berlini do të vazhdojë të mbetet mik dhe partner i fortë i Prishtinës.

Në pritjen solemne të organizuar për shënimin e “Ditës së Bashkimit Gjerman”, Rudolph tha se pret që Kosova të ketë së shpejti një qeveri të plotësisht mandatuar me të cilën Gjermania do të mund të bashkëpunojë ngushtë.

“Këtu në Kosovë, jam optimist që shumë shpejt do të ketë një qeveri, e cila do të jetë plotësisht e mandatuar si partner me të cilin qeveria jonë mund të bashkëpunojë”, u shpreh diplomati gjerman.

Ai ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për ambiciet evropiane dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës duke theksuar se për Berlini, Ballkani Perëndimor mbetet ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme.

“Gjermania është dhe mbetet një mik dhe partner i fortë. Ne jemi krenarë që kemi mbështetur rrugëtimin e Kosovës që shumë para pavarësisë së saj dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Qeveria jonë, e cila mori detyrën në maj, konfirmoi mbështetjen tonë të gjatë për Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme.

Kosova është pjesë e Evropës. Dua të mbështes ambiciet evropiane të Kosovës dhe integrimin e saj ndërkombëtar”, shtoi Rudolph.

Nga ana e saj, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi mbështetjen e Gjermanisë si vendimtare për lirinë dhe pavarësinë e vendit duke theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë më të forta se kurrë.

“Partner në lirinë dhe pavarësinë tonë, një partner në konsolidimin tonë demokratik dhe një nga mbrojtësit më të fortë të integrimit tonë euro-atlantik. Në çdo fazë të udhëtimit tonë, nga rindërtimi te ndërtimi i institucioneve, mbështetja e popullit gjerman ka qenë vendimtare në formësimin e Kosovës që njohim sot”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se diaspora e Kosovës në Gjermani është ndër më të mëdhatë dhe më të gjallat në Evropë duke përfaqësuar urën më të fortë të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në këtë ngjarje morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Prishtinë, si dhe krerë të partive politike. /Kosova.info/


Go to TOP