Rudi: Mospajtimet të zgjidhen brenda LDK-së, jo në publik – uniteti mbi të gjitha

Anëtari i LDK-së, Fetah Rudi, ka reaguar lidhur me debatet dhe zhvillimet e fundit brenda partisë duke bërë thirrje për qetësi, respekt dhe unitet mes strukturave dhe mbështetësve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përmes një reagimi publik, Rudi tha se është e natyrshme që në një parti të madhe të ketë mendime të ndryshme, kritika dhe pakënaqësi, por sipas tij, rëndësi të veçantë ka mënyra se si trajtohen ato.

Ai theksoi se LDK-ja ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë së saj dhe ka arritur t’i tejkalojë ato duke ruajtur kulturën demokratike, respektin dhe unitetin e brendshëm.

“Unë i përkas një brezi që ka mësuar se LDK-ja respektohet edhe kur nuk pajtohemi me njëri-tjetrin. Gjatë gjithë rrugëtimit tim politik kam pasur vërejtje dhe pakënaqësi, por asnjëherë nuk kam zgjedhur që ato t’i zgjidh nëpër media apo jashtë institucioneve të partisë”, ka deklaruar Rudi.

Ai ka nënvizuar se debatet dhe dallimet e mendimeve duhet të diskutohen brenda organeve të partisë dhe jo në publik duke shtuar se ekspozimi i tyre vetëm sa i thellon ndarjet.

Rudi kujtoi gjithashtu sakrificat personale që ka kaluar ndër vite duke përfshirë plagosjen dhe pasojat që bart prej më shumë se dy dekadash duke theksuar se asnjë zhgënjim nuk e ka lëkundur besimin dhe respektin e tij për LDK-në.

“LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh dhe nuk duhet të bëhet peng i emocioneve apo interesave të momentit”, u shpreh ai.

Në fund, Rudi u bëri thirrje të gjithë veprimtarëve, anëtarëve dhe mbështetësve të partisë që të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të kërkojnë zgjidhje brenda strukturave të LDK-së duke shprehur bindjen se partia do ta kalojë edhe këtë sfidë ashtu si shumë të tjera në të kaluarën. /Kosova.info/


Go to TOP