Hamiti: Nga viti 2021 LDK-ja doli e treta, duhen zgjedhje të brendshme për lidership të ri

Zyrtari i lart i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kërkuar zgjedhje të brendshme në LDK-së.

Ai ka vlerësuar se LDK-ja për herë të fundit i ka fituar zgjedhjet në vitin 2004.

Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka shkruar se nga viti 2021 kjo parti ka dal e treta.

“Për herë të fundit Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka fituar zgjedhjet nacionale në Kosovë në vitin e largët 2004, siç i kishte fituar të gjitha zgjedhjet paraprake nën drejtimin e liderit historik të LDK-së dhe të Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë në janar të vitit 2006. Nën drejtimin e tre kryetarëve të LDK-së mbas Rugovës, Fatmir Sejdiut, Isa Mustafës dhe Lumir Abdixhikut, LDK-ja ka dalë e dyta, në kohët e fundit e treta. Prej vitit 2021, në katër palë zgjedhje, ka dalë e treta. Ky është rezultat katastrofal për partinë e Ibrahim Rugovës”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Një ringritje të shënueshme, por jo të mjaftueshme për të dalë e para në zgjedhje, LDK-ja e ka pasur më 2019. Erdhi pastaj dështimi i madh i 2021-shit, prej të cilit s’po ia del të ringrihet, për të keqen e vet dhe të Kosovës. Këto janë evidenca për performancën e LDK-së që shumica e anëtarëve të saj e shohin të pakënaqshme. Brenga e tyre është fati i LDK-së dhe i Kosovës, e cila i ka pasur punët më mirë në rrafsh demokratik kur vendi ynë ka ndjekur politika rugoviste: të matura, të urta, por të qëndrueshme, konsistente, për zhvillim të brendshëm shoqëror dhe ekonomik, sundim të ligjit, konsolidim të demokracisë dhe të shtetit, dhe orientim të palëkundur euro-atlantik. Të gjitha këto i mungojnë Kosovës sot”, ka shkruar ia.

Go to TOP