Latifi: LDK-ja po i afrohet fundit të ekzistencës së saj historike

Analisti politik Blerim Latifi ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke vlerësuar se partia mund të jetë duke hyrë në një fazë të “fundit të ngadaltë historik”.

Në një reagim publik, Latifi theksoi se vlerësimi i tij nuk përfaqëson dëshira personale, por një vëzhgim neutral dhe hipotetik mbi zhvillimet politike brenda LDK-së.

Sipas tij, disfata e njëpasnjëshme zgjedhore, mungesa e një figure që do ta mbushte boshllëkun e lënë nga lideri historik i partisë, si dhe thellimi i shkëputjes mes kujtesës dhe shpresës, kanë krijuar një gjendje të zgjatur lodhjeje dhe shterimi politik.

“Partitë politike historike jetojnë për aq kohë sa arrijnë ta lidhin të kaluarën me të ardhmen. Ato vdesin kur kjo lidhje këputet. Kur kujtesa shndërrohet në një arkiv nostalgjie dhe nuk arrin më të prodhojë frymëzim e shpresë, atëherë nis procesi i tretjes historike”, ka shkruar ai.

Latifi vlerëson se pikërisht një proces i tillë mund të jetë duke ndodhur aktualisht në LDK, ndonëse pranon se historia politike njeh raste të shumta rikthimesh dhe ringjalljesh të papritura.

“Për momentin, nuk më duket se po shohim thjesht një krizë të radhës, por simptomat e një fundi të ngadaltë historik”, përfundon ai. /Kosova.info/


Go to TOP