RTK s`ka buxhet, mbi 700 punëtorë kanë mbetur pa të ardhura

Punëtorët e mediumit të vetëm publik, Radiotelevizionit të Kosovës nuk i morën pagat e tyre më 1 gusht. Kjo për shkak se nuk është gjetur ende asnjë formë për alokimin e mjeteve për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ehat Miftaraj tha se përveç pagave të punëtorëve, RTK pa mjete financiare nuk mund të paguajë as obligimet kontraktuale.

 “RTK është në Ligjin e Punës, por nuk kanë buxhet për të marrë pagat. Sot RTK si mediumi i vetëm publik nuk mund të kryejë obligimet kontraktuale që ka me operatorët ekonomikë. Nëse nuk gaboj, kanë 600 mijë euro borxh ndaj UEFA-s për të drejtat televizive”, ka thënë Miftaraj.

Reagime për mosalokim të mjeteve për transmetuesin publik RTK kanë bërë edhe PDK, LDK e AAK.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, po konsideron se mosalokimi i mjeteve për RTK-në nga ana e qeverisë në detyrë po bëhet në përpjekje për kontroll dhe nënshtrim.

“Opsione qeveria në largim ka pas siç po ndanë miliona euro çdo ditë. Fatkeqësisht, ne, këtë veprim të qeverisë në ikje e shohim në vazhdën e shumë veprimeve që ka marrë në vazhdimësi tani e pesë vite për të futur në kontroll dhe për të nënshtruar çdo mekanizëm dhe çdo institucion të pavarur në Republikën e Kosovës”, ka thënë Çitaku.

Hykmete Bajrami e LDK-së derisa ka shprehur keqardhje për 700 punëtorët e RTK-së, të cilët më 1 gusht nuk i morën pagat e tyre foli për mundësitë që sipas saj i ka qeveria në detyrë për ta kryer këtë obligim.

“Tani është e vërtetë se kemi një ngërç politik dhe këto aprovimet buxhetore ndodhin në Kuvend në Komisionin për Financa mirëpo ka pasur praktika të mëhershme për shembull në janar të vitit 2021, kur në atë kohë ish kryeministri Hoti pavarësisht që nuk ka qenë kuvendi i konstituuar, i ka bërë ndarjet buxhetore sepse buxheti i Radiotelevizionit të Kosovës tashmë është pjesë e ndarjeve buxhetore dhe i Ligjit të Buxhetit për vitin 2025”, ka thënë Bajrami.

E deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, tha se është shqetësuese që i vetmi medium publik në vend të mbetet pa buxhet.

“Sot merr vesh që ata gazetarë, në përgjithësi RTK-ja, nuk merr rrogat”, ka thënë Brahimaj.

Me një krizë politike në vend dhe pa një zgjidhje buxhetore, mbetet ende paqartë se kur punonjësit e RTK-së do të mund të marrin pagat e tyre.


Go to TOP