Rrugët e Shkupit shndërrohen në “tavllë duhani”

Në hapësirat publike në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, në Shkup, gjithandej vërehen mbeturina të duhanit, veçanërisht në vendet ku grumbullohen qytetarët, si stacionet e autobusëve, para institucioneve etj.

Ligji për higjienën publike i Maqedonisë së Veriut parasheh gjoba për të gjithë ata që e ndotin ambientin, në rastin konkret edhe për hedhjen jashtë vendeve të caktuara të mbetjeve nga duhanpirja.

Sipas Ligjit për higjienën publike, i cili është miratuar në vitin 2008, për hedhjen e mbetjeve të cigareve jashtë vendeve të caktuara parashihet gjoba në vlerë tre mijë denarë (rreth 50 euro).

Cigare të fikura jashtë vendeve të caktuara, Shkup prill 2024.
Cigare të fikura jashtë vendeve të caktuara, Shkup prill 2024.

Pas miratimit të këtij ligji, Qeveria maqedonase për dy vjet organizoi dhe një fushatë vetëdijesuese për qytetarët për zbatimin e ligjit ku theksohej se çdo hedhje e cigares do të ndëshkohej me gjobë.

Megjithëkëtë, dukuria e hedhjes së mbetjeve të cigareve mbetet problem serioz për mjedisin, sidomos në Qytetin e Shkupit që është më i frekuentuar.

Qytetarët ankohen se qyteti i Shkupit po shndërrohet në një taketuke për hedhjen e mbetjeve nga cigaret.

“Duhet caktuar vende speciale për duhanpirësit, pra, ku ata mund të ndalen dhe të tymosin, jo të tymosin cigare madje edhe duke ecur dhe t’i hedhin mbetjet ku t’u vijë. Kjo është rruga ‘Maqedonia’ e mbushur me turistë, çfarë kulture do të pasqyrojmë nëse kjo rrugë është e mbushur mbetje cigaresh, pos se jemi qytet i një taketuke mbeturinash”, shprehet për Radion Evropa e Lirë qytetari Petko Stojanov.
Për Linda Mamutin, tymosja e duhanit në hapësira publike jep një mesazh të keq për gjeneratat e reja, veçanërisht derisa pritet autobusi urban ku pjesa më e madhe e udhëtarëve janë nxënës të shkollave të mesme.

“Më ka rastisur të dëgjoj se si të rinjtë, madje, kërkojnë shkrepëse nga ata që tymosin derisa presin linjën e autobusit të caktuar. Kjo në asnjë mënyrë nuk na leverdis si shoqëri”, thekson Luljeta e cila është mësimdhënëse.

Edhe qytetarja tjetër, Bllagorodna Georgievska thotë se askush nuk i hedh mbetjet e cigareve në shporta, por në tokë dhe i shkelen me këmbë ose edhe më keq – për një kohë ato vazhdojnë të digjen derisa të shuhen vetë.

“Nuk kam parë që dikush të jetë dënuar për këtë, të shqiptohet dënim, edhe pse jetoj këtu në qendër dhe shpeshherë, teksa kujdesem për nipin, me orë qëndroj në ulësen e parkut këtu para banesës që praktikisht është zemra e qytetit të Shkupit”, thekson ajo.

Bishta cigaresh të hedhur në tokë në Shkup.
Bishta cigaresh të hedhur në tokë në Shkup.

Radio Evropa e Lirë u ka dërguar pyetje autoriteteve të Qytetit të Shkupit, lidhur me masat që ka ndërmarrë ose jo inspektorati komunal për shkelësit e ligjit për higjienën publike por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje.

Institucionet e vendit nuk kanë të dhëna se sa parashtresa janë shqiptuar për hedhjen e mbeturinave të cigareve në qytetin e Shkupit.

Mbetje cigaresh dhe fëstëkësh të hedhura në një vazo.
Mbetje cigaresh dhe fëstëkësh të hedhura në një vazo.

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të brendshme theksojnë se gjatë vitit 2023 janë shqiptuar 11 parashtresa në Manastir dhe një në Veles.

Aktivistët për të mbrojtjen e ambientit jetësor thonë se hedhja e mbetjeve të cigareve paraqet problem serioz për mjedisin për faktin se mbetjet e cigareve përmbajnë substanca të dëmshme kimike, si katrani, arseni dhe nikotina, të cilat përhapen në ujëra dhe në tokë dhe me këtë shkaktojnë dëme serioze për shëndetin e njerëzve, si dhe dëmtojnë edhe ekosistemin.

“Kjo paraqet një problem të madh që ka të bëjë me punën e Inspektoratit të mjedisit, e që dihet se në vendin tonë inspektoratet e mjedisit nuk e kryejnë punën në përputhje me ligjet për mjedisin. Sigurisht se mosreagimi ndaj [hedhjes së] mbetjeve të cigareve është problem i madh, por problem edhe më i madh mbetet mosreagimi i Inspektoratit të ambientit dhe mosparashtrimi i parashtresave ndaj aktorëve të djegies së deponive, ndotjes së ambientit nga industritë e ndryshme”, thotë Arianit Xhaferi, nga organizata joqeveritare Eco Guerila, e cila në fokus ka mbrojtjen e ambientit jetësor.

Tymosja e duhanit gjithandej përcjell porosi veçanërisht për gjeneratat më të reja se kjo është një diçka jo e keqe dhe si e tillë merret si model veprimi.

Go to TOP