Rrjeti i Prindërve Edukues reagojnë ashpër ndaj British School of Kosova: Refuzimi i një fëmije me Sindromën Down është diskriminim i papranueshëm

Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës ka reaguar fuqishëm pas lajmit se shkolla private British School of Kosova ka refuzuar regjistrimin e një vajze të vogël, Nisa, vetëm për shkakun se ajo është me Sindromën Down. Në një deklaratë publike, Rrjeti e ka quajtur këtë akt një formë diskriminimi të rëndë dhe të papranueshme për një shoqëri që synon të ndërtojë vlera demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta.

“Refuzimi i vajzës së vogël për të ndjekur mësimet nuk është vetëm një padrejtësi ndaj një fëmije dhe një familjeje – është një dështim institucional dhe moral që i bën dëm të gjithë shoqërisë”, thuhet në reagimin e tyre.

Rrjeti i ka bërë thirrje British School of Kosova që të rishqyrtojë menjëherë vendimin, të kërkojë falje publike dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të një mjedisi gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët. Po ashtu, u është bërë thirrje të gjitha institucioneve arsimore – publike dhe private – që të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të ndryshme.

Një kërkesë e veçantë është adresuar ndaj Ministrisë së Arsimit, që ky rast të trajtohet me prioritet absolut duke u kërkuar institucioneve të zbatojnë ligjet për të drejtat e fëmijëve dhe përfshirjen e tyre në sistemin arsimor.

“Fëmijët si Nisa nuk kërkojnë mëshirë – ata meritojnë mundësi. Dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve neve,” përfundon deklarata duke theksuar se përfshirja nuk është një favor, por një e drejtë themelore që duhet të garantohet për çdo fëmijë në Kosovë. /Kosova.info/


Go to TOP