S’ka paga për grevistët/ A do të rikthehet greva, flasin nga SBAShK -u

Pak ditë më parë u njoftua se qeveria ka marrë vendim që të mos i ekzekutojë pagat për muajin shtator, për mësimdhënësit që kanë qenë pjesë e grevës në arsim.
Ky vendim i qeverisë është kritikuar si nga njohësit e politikës, partitë politike opozitare, por edhe nga disa deputetë të partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa nga SBASHK-u, qeverisë i është vendosur afat deri në ditën e sotme, që t’i ekzekutojë pagat për mësuesit, përndryshe ata do të marrin veprime të tjera.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me Blerim Mehmeti, anëtar i kryesisë së SBASHK-ut.

I pyetur se a janë ekzekutuar pagat, Mehmeti tha se nuk është bërë një gjë e tillë, duke shtuar se: “S’po guxoj as me mëndu për ça kemi me vepruar”.

“Jo, ekzekutimi i pagave nuk është be. Dhe hiç mirë s’kanë bërë, çfarë do të ndodhë nuk e di. S’po guxoj as me mëndu për ça kemi me vepruar”, ka thënë Mehmeti.

Tutje, ai nuk ka hedhur poshtë mundësitë që ta padinë Ministrinë e Financave por edhe për rikthimin në grevë.

“Gjithçka është e mundur. Unë shpresoj sot ose nesër, sonte në mbrëmje takimet që i kemi me kryetarët e niveleve komunale ndoshta do të vendosim bashkarisht, por gjithçka është e mundur, edhe kjo sa i përket kallëzimit penal. Pjesën e parë ja kemi drejtu ministrisë edhe i kemi kërkuar që ma na sqaru ose me na dhanë një shkresë dhe një arsyetim zyrtar se pse janë ndalë pagat”, ka vijuar anëtari i kryesisë së SBASHK-ut.

Më tej, ai tha se mësimdhënësit janë të mllefosur dhe se uron që të mos rikthehet greva pasi që, siç ka thënë ai, ka rrezik të humbet viti.

“Mësimdhënësit janë shumë të mllefosur, uroj të mos vijmë të ai moment, sepse pastaj ka rrezik të humbim vitin, por s’guxoj asgjë me thanë në këtë drejtim, sepse janë organet që ato do ta marrin vendimin”, ka përfunduar Mehmeti.

Përndryshe me 3 tetor ka filluar procesi mësimor në Kosovë, pas një grevë më shumë së një muajshe në arsim të organizuar nga SBASHK-u.

Go to TOP