Rrezikohet shëndeti i fëmijës, ankesa për Klinikën e Neonatologjisë

Emisioni `Udhëve` në RTK ka siguruar një mori ‘e-mailash’ dhe shkresash që konfirmojnë se një fëmije 4 muajsh iu përkeqësua shëndeti, si pasojë e neglizhencës mjekësore në Klinikën e Neonatologjisë. Dyshimet janë se fëmijës së familjes Pireva, nga Gjilani, i është dëmtuar truri.

Familja Pireva, është ankuar për trajtimin e fëmijës së tyre, L.P., në ‘Klinikën e Neonatologjisë’. Sipas ankesës, të siguruar nga emisioni hulumtues ‘Udhëve’ ka dyshime që fëmijës së tyre 4 muajsh i është dekortikuar truri. Kjo nënkupton dëmtim të trurit në pasoja afatgjate te fëmija. Edhe drejtoresha e ‘Neonatologjisë’, dr. Hajrije Ismajli, konfirmon ankesat. Ajo thotë se nuk kishte neglizhencë, mirëpo shqetësimet lidhen me gjendjen e rënduar të fëmijës që nga lindja.

Por, të kundërtën e saj e tregon një e-mail i kirurgut pediatrik, Baton Kelmendi, i cili në detaje flet për rastin e fëmijës L.P., që vet e kishte operuar, mirëpo kishte shprehur shumë pakënaqësi për mënyrën e menaxhimit të rastit në ‘Neonatologji’.

Doktor Kelmendi tërheq vërejtjen për neglizhencë dhe kërkon të merren masa, pasi për tetë ditë rresht nuk është realizuar konsulta e neurologut. Drejtori i Kirurgjisë së Fëmijëve, Ardian Shefkiu, thotë se ankesat e dr. Kelmendit duhet të shqyrtohen.

Situata është thelluar edhe më tej, kur drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, sipas një ankese të infermieres Ilirjana Sylejmani, ka kërkuar nga kjo e fundit që të deklarojë se doktor Kelmendi ka pasur sjellje jo të mirë gjatë një vizite në repartin e Kirurgjisë së Fëmijëve. Infermierja nuk ka pranuar një gjë të tillë dhe ndaj saj, sipas ankesave të paraqitura nga avokati Florim Shefqeti, kanë filluar ndëshkimet hakmarrëse.

Menaxhmenti i SHSKUK-së ka krijuar një komision që po heton gjithë ngjarjen, derisa edhe Inspektorati Shëndetësor, tashmë, ka filluar trajtimin e ankesave të prindërve.

Go to TOP