Rrëfimi i të riut nga Vushtrria që pretendon se u rrah nga disa policë

Brenda dhomave të Stacionit të Policisë në Vushtrri, Artan Hasani pretendon se u rrah nga disa policë.

Ai ka ndarë me publikun ngjarjen e cila tashmë zyrtarisht po hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës

I riu pretendon se më 22.02.2024, është goditur me boks në fytyrë dhe në barkun e tij ndërsa prezenca e tij në stacion nuk ishte për ndonjë aktivitet kriminal por për një aksident trafiku.

Disa minuta para ngjarjes, Artan Hasani ishte aksidentuar me një veturë që e drejtonte një vajzë.

Sipas Hasanit, problemet nisën në vendin e ngjarjes kur vajza i dha telefonin njërit prej policëve për të folur me dikë.

“Unë e kam njoftu policinë, në momentin kur ka ardh policia na i kanë kërku dokumentet, ajo vajza e ka nxjerrë telefonin me një familjar apo nuk e di me kë ka bisedu dhe ja ka dhënë telefonin zyrtarit policor, atë çka e kam ndëgju është që ka thënë kryhet kjo punë shpejtë tash, s’koka bo kurrgjë. Polici që folke me familjarën e asaj vajzës”, rrëfen Artani për KALLXO.com, intervistë kjo e realizuar më 23.02.2024.

Sipas tij, çështja e aksidentit dhe fotografimi i vendit të ngjarjes ka zgjatur diku rreth 10 minuta e më pas janë drejtuar për në stacionin policor në Vushtrri për procedura të mëtejme.

“Kemi shku në stacion policor kam qenë me makinën time, aty ka dalë polici S…J… dhe ka thënë hajde te shohim dëmin që tu ka bë në makinë. U afru dhe tha se s’koka bo kurrgjë mu ka drejtu a e ki raportin evropian të aksidentit, unë i kam thënë nuk e kam dhe nuk e di çka është, tregon tutje Artani.

Më vonë sipas tij, e ka marrë vesh edhe se për çka duhet të plotësohet raporti i aksidenteve deri sa shton se nuk i kishte ndihmuar askush apo treguar se në cilat situata duhet të plotësohen të dhënat që kërkohen në atë raport.

Go to TOP