Rrëfimet e qytetarëve nga qyteti turk, në afërsi të cilit ishte epiqendra e tërmetit: Këtu më nuk ka jetë
Pazarcik është një qytet turk, në afërsi të cilit ishte epiqendra e tërmetit shkatërrues të javës së kaluar.
Banorët e këtij qyteti ishin dëshmitarë të tmerrit nëpër të cilin kanë kaluar. Disa prej tyre mendojnë se në këtë qytet jeta më nuk është e mundur të zhvillohet.
Gazetari Suat Yenipinar dhe nipi i tij, në momentin e tërmetit ishin në apartament në katin e pestë, transmeton Telegrafi.
“Kur ndodhi tërmeti, e kapa nipin dhe tentova duke vrapuar të dalë nga ndërtesa, por u goditëm në mure dhe u rrëzuam. E mbrojta me trup në rast të shembjes së ndërtesës. Pasi përfunduan dridhjet, arritëm të dalim dhe vazhdimisht binin copëzat e ndërtesës”, tha 60-vjeçari.
Aktualisht jeton në tendë, pranë një kuzhine mobile të Kryqit të Kuq. Në Pazarcik në momentin e katastrofës natyrore kishte 28 mijë banorë, ndërsa jetën e humbën 450 persona.
Megjithatë sipas të dhënave zyrtare, qyteti ka 68 mijë banorë, por shumë prej tyre punojnë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani.
Sipas vlerësimit të banorëve, kanë mbetur vetëm 4 apo 5 mijë banorë. Tërmeti shkatërroi edhe objektet e gazetave lokale siç është Aksa Haber Gazetesi që Yenipinar e shpërndante nëpër dyqane.
