Rrahmani: E rëndësishme përfshirja e teknologjisë në librat për fëmijë

Çdo vit më 2 prill, shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë. Kjo ditë sjell mundësi të reja për të promovuar rëndësinë e leximit dhe zhvillimin e dashurisë për librat tek fëmijët.

Ajo është shpallur nga Organizata Ndërkombëtare e Librarëve për Fëmijë dhe Të Rinj (IBBY) që në vitin 1967 dhe është festuar për herë të parë në vitin 1968. Qëllimi kryesor është të nxisë fëmijët që të lidhin dashurinë për librat dhe të zhvillojnë shprehitë e leximit që mund t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Në një intervistë për RTK, ishte e ftuar shkrimtarja për fëmijë, Erina Rrahmani, e cila ka botuar tashmë shtatë libra për fëmijë. Ajo ndau mendimet e saj për leximin e fëmijëve në ditët e sotme.

“Unë si shkrimtare për fëmijë po e vërej që fëmijët kanë interes për libra, por ajo që kam vënë re është se ata janë më të prirur të konsumojnë materiale të shkurtra. Kjo e bën më të vështirë për ne shkrimtarët që të mbajmë interesin e tyre për libra më të gjatë,” tha Rrahmani.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e përfshirjes së teknologjisë në librat për fëmijë, duke bërë dallimin midis medias tradicionale dhe asaj moderne. “Në librat e mi, vazhdimisht e përmend teknologjinë dhe si të përdoret ajo në mënyrën e duhur. Është e rëndësishme që teknologjia të na shërbejë dhe të mos na shkëputë nga realiteti,” shtoi ajo.

Rrahmani ndau gjithashtu historinë e saj personale, duke treguar se si u rrit në një ambient me libra dhe si ajo filloi të shkruante. “Në klasën e 6-të, kam botuar librin tim të parë me vjersha për fëmijë, të cilat i lexuan shkrimtarët dhe ata i pëlqyen shumë. Ky ishte një motivim i madh për mua që të vazhdoj të shkruaj,” tha Rrahmani.

Kjo ditë është një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi rëndësinë e librave në jetën e fëmijëve dhe për të inkurajuar më shumë të rinj të merren me leximin, duke i hapur ato dyer të pafundme të imagjinatës dhe dijes.


Go to TOP