Rrahja me sëpatë, kryqi në oborr, ligji i Sheriatit e prona, vazhdon “hasmëria” mes miqve në Vushtrri
Ka vite të tëra që kanë lidhur miqësinë, por familjet Islami dhe Musliu nuk po arrijnë të gjejnë paqe.
Njëra palë thotë se shkak është toka, e tjetra feja.
Cilado qoftë arsyeja e këtij konflikti, dhëndrri i familjes Musliu, Sedat Islami kishte përfunduar në spital.
E prej atje në arrest shtëpiak nga prilli i këtij viti.
Bazuar në rrëfimin e tij, Sedati me të shoqen, Nazifen, vendosen të zbritnin nga fshati malor, Taraxhë e Vushtrrisë, për të nisur një jetë të re në tokën e gruas në Dumnicë të Epërme.
Por, ky vendim i tyre duket se nuk u mirëprit nga kushërinjtë e Nazifes, e në veçanti njërit, Sabit Musliut, revolta e të cilit përfundoi në përleshje fizike.
Sedati thotë se Sabitit i pengonte besimi i tij dhe shpeshherë ia shante fenë, duke përshirë edhe profetin Muhamed, për çka Sedati thotë se kërkoi ndihmën e vëllait të gruas, Fevziut.
“M’ka fy me fjalë të rënda nga oborri pasi isha duke ndej rroba në oborr, kam shku te Fevzia, miku, me kërku ndihmë….”, rrëfen Sedat Islami.
Ndërmjetësimi i tij nuk ishte i efektshëm, pasi konflikti verbal mes miqve kaloi në përleshje fizike.
“Më ka goditë në kokë edhe kom ra në tokë. Ka dashtë me m’godit prapë e ka nalë Fevzia”, shton ai.
Por, një version tjetër të kësaj historie e ka Sabit Musliu, i cili po ashtu është në arrest shtëpiak. Ai mohon që e goditi qëllimisht Sedatin, por thotë se atë e ka bërë për vetëmbrojtje.
