Rozeta Hajdari: Nga reformat ekonomike te beteja kundër monopoleve
Me mbi 25 vjet përvojë profesionale në ekonomi, arsim dhe ndërtim institucionesh, Rozeta Hajdari vlerësohet për rolin e saj në reformat ekonomike, mbrojtjen e konkurrencës dhe avancimin e integrimit ekonomik të Kosovës.
Rozeta Hajdari, aktualisht një nga figurat më të njohura të politikave ekonomike në Kosovë, ka ndërtuar një karrierë mbi 25-vjeçare në fushën e ekonomisë, zhvillimit institucional dhe hartimit të politikave publike. E lindur më 10 qershor 1974 në Pejë, ajo ka përfunduar studimet master në biznes dhe ekonomi në Universitetin “Linnaeus” në Suedi dhe është kandidate për doktoratë në Universitetin e Prishtinës.
Karriera e saj profesionale përfshin angazhime në institucione publike, organizata zhvillimore dhe në arsim të lartë, ku ka ligjëruar në Universitetin “Haxhi Zeka” dhe në RIT Kosova.
Në vitin 2020, Hajdari mori drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, një ndër ministritë më të mëdha dhe më komplekse të vendit. Gjatë mandatit të saj, ajo u përfshi në procese të rëndësishme reformuese, përfshirë masat e reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë dhe finalizimin e marrëveshjes së kyçjes ndërmjet KOSTT-it dhe ENTSO-E, që konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike të Kosovës.
Më pas, si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hajdari u angazhua në reformimin e tregut, forcimin e mekanizmave të inspektimit dhe luftimin e parregullsive në sektorë të ndryshëm ekonomikë. Gjatë kësaj periudhe u miratuan politika dhe reforma që synonin përmirësimin e klimës së biznesit, mbrojtjen e konkurrencës, fuqizimin e prodhimit vendor dhe nxitjen e investimeve.
Kontribut i veçantë i saj konsiderohet edhe avancimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës në fushën ekonomike. Nën drejtimin e saj, Kosova siguroi përfaqësim të drejtpërdrejtë në CEFTA, pa ndërmjetësimin e UNMIK-ut, si dhe u arritën marrëveshje të rëndësishme me Bashkimin Evropian dhe vendet e EFTA-s.
Në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës, Hajdari udhëhoqi Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, duke trajtuar një sërë reformash të lidhura me Planin e Rritjes dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit.
Ajo vazhdon të mbetet e fokusuar në politikat që synojnë zhvillimin e kapitalit njerëzor, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe transformimin e Kosovës në një ekonomi moderne dhe të qëndrueshme.

