Rojaviq paralajmëron radikalizim nëse s’ka `normalizim të situatës`
Organizatori i bllokadave në pikat kufitare, Rasha Rojeviq ka paralajmëruar radikalizim nëse s’ka “normalizim të situatës” deri më 1 tetor.
Mediat në Serbi raportojnë se Rojaviq ka thënë se u ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës deri më 1 tetor për të “normalizuar situatën,” në të kundërtën ka theksuar se do të marrin masa më radikale.
Rojeviq ka theksuar se serbët në Kosovë janë të vetëdijshëm se kërkesat e tyre nuk mund të përmbushen “brenda ditës”, por se është e rëndësishme të monitorohet se pala shqiptare po punon për përmbushjen e kërkesave.
Sipas medieve serbe, Rojeviq ka thënë se nuk ka bllokadë në asnjë vendkalim.
Disa persona që u prezantuan si organizata joqeveritare vendosën bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën si shenjë proteste për mbylljen e pesë objekteve të komunave paralele serbe në veri në fund të gushtit.
Si kusht për heqjen e tyre ata kishin vënë heqjen e Policisë së Kosovës nga veriu dhe marrjen në kontroll nga ana e KFOR-it.