Ismajli pas fitores kundër Ukrainës: Është historike
Pas fitores së madhe të Shqipërisë ndaj Ukrainës me rezultat 2:1, Ardian Ismajli, autori i golit të barazimit, ka dhënë një deklaratë emocionuese për mediat. Ai e vlerësoi këtë fitore si historike, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes dhe luftës së skuadrës në fushë.
“Po e kemi ditur se Ukraina është ekip i fortë fizikisht, nuk ka dallim shumë nga Çekia. Por me një luftë të paparë dhe duke e mbështetur njëri-tjetrin kemi arritur deri te fitorja. Kjo fitore është historike sepse është hera e parë që kemi mposhtur Ukrainën”, tha Ismajli.
Duke iu referuar mungesës së paraqitjes së tij në “Euro 2024”, Ismajli u shpreh: “Unë jam profesionist i vërtet, e kam bërë gjatë gjithë karrierës sime dhe do ta bëj. Gjatë Evropianit ka qenë zgjidhja e trajnerit të mos luaja, deshëm s’deshëm duhet t’i pranojmë. Ajo është tashmë e kaluar”, tha ai duke hedhur poshtë tutje çdo spekulim rreth marrëdhënieve me trajnerin Sylvinho: “Nuk ka pasur polemikë me trajnerin dhe s’do të ketë asnjëherë. I kam pranuar zgjidhjet e trajnerit me sportivitet, çka shkruajnë portalet nuk është e vërtetë”.
Mbrojtësi i Kombëtares u fokusua te rëndësia e kësaj fitoreje dhe sfidat e ardhshme. “E rëndësishme ishte të dalim me tre pikë në një transfertë të vështirë. Na mbetet të rikuperohemi brenda tre ditësh dhe të japim më të mirën ndaj Gjeorgjisë, që po ashtu ka fituar”, tha ai.
Në fund, Ismajli tha se golin dhe fitoren ia dedikon familjes.. “Falënderoj Zotin për një ndeshje të madhe, këtë gol, këtë fitore e këtë ndeshje ia dedikoj familjes sime që ka vuajtur shumë, por edhe të gjithë shqiptarëve”.