OPINION

Rezistenca aktive paqësore e përmasave vetëflijuese!

Shkruan: Florim ZEQA
Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në 23 marsin e vitit 1989, në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 e ish Federatës Jugosllave, e cila Kosovën e përafronte në masë të madhe me republikat e tjera, duke e lënë Kosovën pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimimi i autonomisë së Kosovës u pasua me pushtimin e Kosovës me mijëra policë dhe ushtarë serbë, duke ushtruar masa represive dhe dhunë sistematike ndaj popullatës shumicë shqiptare, e cila më pas i mori përmasat e një aparteidi të vërtetë.

LDK bartëse e rezistencës aktive paqësore

Krijimi i situatës së rënduar pas suprimimit të autonomisë, e kishte shtruar nevojën imediate të organizimit të shqiptarëve të Kosovës. Një grup intelektualësh të shquar shqiptarë e formojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, subjektin e parë politik i cili e shënon edhe hapjen e proceseve demokratike në Ballkan dhe këtë pjesë të Evropës në përgjithësi.

Kësisoj, LDK brenda vetëm pak muajve i arrin përmasat e një lëvizje demokratike, e cila, duke e bërë shkëputjen nga sistemi politik i kohës, u rritë dhe u homogjenizua, u shndërrua në bartëse të rezistencës aktive paqësore dhe promotor i të gjitha zhvillimeve të mëvonshme politike.

Sikurse organizimi i qytetarëve rreth lëvizjes paqësore demokratike (LDK), edhe unifikimi i popullatës kundër pushtuesve serbë ishte i përmasave biblike. Pa dëgjueshmëria qytetare ndaj regjimit okupues të Millosheviqit, e kishte detyruar këtë të fundit, që t’i largojë qindra mijëra shqiptarë në vendet e tyre të punës me pretekstin e mospranimit të masave të jashtëzakonshme të Serbisë.

Me këtë akt qyqarë, satrapi i Ballkanit kishte menduar që përveç me dhunë sistematike, t’i nënshtrojë edhe me uri shqiptarët e Kosovës. Por u mashtrua keq, madje kjo çmenduri iu kthye në bumerang! Shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha trojeve etnike u unifikuan akoma më shumë në përkrahje të njëri-tjetrit! Mërgata e jonë, si asnjëherë më parë gjatë historisë u mobilizua në mbështetje materiale të institucioneve paralele të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve në rrethanat e okupimit klasik të Serbisë.

Ngjarjet që vunë themelet e shtetit të Kosovës

E di që është i pamundur përshkrimi kronologjik i të gjitha zhvillimeve politike dhe shoqërore gjatë 10 viteve të rezistencës paqësore në një shkrim autorial, por do t’ shkëpusë vetëm disa prej tyre, për të dëshmuar homogjenizimin e paparë e të padëgjuar të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe historike; nivel i lartë humaniteti dhe solidariteti ndër qytetare, falja e të gjitha gjaqeve dhe ngatërresave, shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së 2 Korrikut 1990 para dyerve të mbyllura të Kuvendit nga pushtuesit serb, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit e të njëjtit vit, Referendumi mbarë popullore për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, mbajtur prej 26-30 Shtator 1991, zgjedhjet e para të lira dhe pluraliste për Kuvendin e Republikës së Kosovë, të mbajtura më 24 Maj 1992, nga të cilat zgjidhet edhe kryetari i parë i Republikës së Kosovës me mandatin e Kushtetutës së Kaçanikut.

Të gjitha këto ishin veprime vetëflijuese, për shkak se u realizuan nën masa të egra represive të pushtuesve serbë, të cilat paraqitnin rrezik permanent për jetën e delegatëve, aktivistëve dhe veprimtarëve, humanistëve dhe qytetarëve që e ndanin kafshatën e gojës me njëri-tjetrin!

Përmes këtij shkrimi të shkurtër, desha t’iu tregoj rrahagjoksëve që “luftën” e bënë hoteleve luksoze dhe disa politikanëve të pasluftës që “luftën” e bënë për pushtet e jo për shtet!

Shteti bëhet duke dhënë gjithçka, pa marrë asgjë prej tij. Të tillë ishin politik-bërësit, aktivistët dhe veprimtarët e viteve të ‘90-ta, të harruarit e ditëve të sotme siq po harrohen dita-ditës edhe heronjtë dhe dëshmorët, invalidët e luftës dhe ushtarët e vërtetë të lirisë së Kosovës.

Sot nuk kemi nevojë për vetëflijime dhe as për heronj dhe dëshmorë të rinj. Kemi nevojë për kontributin e secilit qytetar për shtetin e Kosovës. Ta befasojmë edhe një herë Serbinë me unitetin tonë sikurse në vitet e ’90-ta, duke e bojkotuar çdo produkt të saj dhe çdo lëvizje nëpër territorin e saj.

Shfaq më shumë
//benoopto.com/4/3473483