Rexhaj: LDK-ja dështoi në zgjedhje, Kujtim Shala është alternativa për ringritje

Aktivisti i çështjes kombëtare, Sali Rexhaj, ka analizuar dështimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e fundit duke theksuar se çdo rezultat nën 25% është humbje e madhe dhe nuk mund të ketë as arsyetime, as vetëkënaqësi.

Sipas tij, një nga gabimet kryesore ishte vendosja e emrit të Lumir Abdixhikut para logos së partisë, një praktikë e papranueshme për elektoratin kosovar. Për më tepër, ai kritikon mënyrën e përzgjedhjes së kryetarëve të degëve dhe kandidatëve për deputetë nga kreu i partisë duke eliminuar procesin demokratik dhe irrituar aktivistët.

Rexhaj vlerëson se përjashtimi i Agim Veliut nga lista ishte një gabim i rëndë duke sjellë humbjen e 20 mijë votave. Ai krahason situatën me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) duke përmendur kandidatin e saj, Bedri Hamza, i cili, sipas tij, ishte më i qartë në mesazhet e tij duke adresuar çështje konkrete të qytetarëve.

Për një rikthim të LDK-së, Rexhaj sugjeron përfshirjen në qeveri me figura të njohura si Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami për të ndihmuar në rikthimin e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit. Ai konsideron të domosdoshëm përmirësimin e marrëdhënieve me BE, NATO dhe SHBA duke theksuar se qasja e qeverisë aktuale e ka futur Kosovën në agjenda të rrezikshme serbe dhe ruse.

Në përfundim, Rexhaj argumenton se Abdixhiku duhet të tërhiqet nga drejtimi i partisë dhe LDK-ja të udhëhiqet nga Kujtim Shala, të cilin e quan “politikanin më të artikuluar në Kosovë”. Ai e sheh refuzimin e LDK-së për t’u përfshirë në qeverisje si një veprim pa arsye reale, ndërsa thekson se bashkëpunimi me PDK-në ka sjellë përfitime për Kosovën në të kaluarën, përfshirë marrëveshjen e Rambujesë, bisedimet e Vjenës dhe shpalljen e pavarësisë.

Sipas tij, problemet e LDK-së kanë ardhur gjithmonë nga brenda dhe jo nga aleancat politike. Ai fajëson përçarjet e shkaktuara nga Daci dhe Vjosa Osmani,duke përmendur se Rugova kishte larguar puçistët në kohën e tij, ndërsa pas vdekjes së tij, partia u dobësua nga lidershipi që nuk ndërhyri me kohë për të ruajtur unitetin. /Kosova.info/


Go to TOP