Revista e njohur Forbes jep lajmin e madh, LeBron James bëhet zyrtarisht miliarder

Një tjetër sportist arrin titullin magjik të miliarderit.

Basketbollisti më i mirë aktiv amerikan, LeBron James edhe zyrtarisht është futur në listën e miliarderëve.

Ka qenë revista e njohur amerikane Forbes që ka dhënë lajmin se James është bërë miliarder dhe kështu bëhet vetëm sportisti i dytë që e arrin këtë titull.

Pasuria e super yllit të La Lakers tanimë është ngritur mbi një miliard dollar.

37-vjeçari ka 19 vite që është pjesë e ligës më të fortë të basketbollit në botë NBA, ku ka luajtur për Cleveland Cavaliers, Miami Heat dhe Los Angeles Lakers ku është aktualisht.

Shumën një miliard dollarëve, James e ka grumbulluar falë pagës së tij në NBA, kontratave të reklamave me firma të mëdha si Nike, AT&T, PepsiCo dhe Walmart, investimeve në Real State (pasuri të paluajtshme), Spring Hill Company (kinema), Blaze Pizza, Beats By Dre dhe Beachbody.

LeBron James gjithashtu ka aksione në skuadra sportive si gjiganti anglez Liverpool (Liga Premier), Boston Red Sox (MLB) apo Pittsburgh Penguins (NHL).

James kësisoj bëhet vetëm sportisti i dytë që i bashkohet klubit të miliarderëve pas legjendës Michael Jordan, megjithatë ylli i Lakers e ka arritur këtë titull duke qenë basketbollist aktiv.

Në anën tjetër Jordan u bë miliarder vetëm në vitin 2014 pasi bleu skuadrën e basketbollit në NBA, Charlotte Hornets. 

Go to TOP